Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi thotë se diaspora ka potencial votash dhe sipas sondazheve, mazhoranca ka rezultate të mira.
Në një intervistë për një emision televiziv, Koçi u shpreh se Partia Socialiste është një makineri që ka ndezur motorët prej kohësh.
“Ne i kemi mbledhur motorët e kësaj makinerie, vota e diasporës është risi e cila nuk është çështje vetëm ngjyre, por është aspekt i rëndësishëm. Bëhet fjalë për shumë vota. Duke pasur parasysh që sondazhet na nxjerrin pak më mirë, kështu duket. Kjo është një lloj preference që duhet të shfrytëzohet prej nesh. Kam përshtypjen që vota e emigrantëve që kanë ikur herët nga Shqipëria, mund të jetë më gjakftohtë. Ky është një lloj ndryshimi. Ata e kanë pasur të drejtën, por do duhej të vinin në Shqipëri për ta ushtruar këtë të drejtë. Nëse kjo opozitë do të vinte në pushtet, do e rrëzonte reformën në drejtësi. E vetmja garante e këtij procesi, është Partia Socialiste. Integrimi është përshpejtuar”, theksoi ai.