VOTA E EMIGRANTËVE, BASHA : KEMI DËRËZUAR NË PARLAMENT…

Politika

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu përgjigjur pyetjeve në Instagram, ka folur për votën e emigrantëve, ku ripërsëriti se kanë dorëzuar në Parlament propozimin sesi mund të mundësohet.

Basha tha se Partia Demokratike është në ballë të betejës për votën e emigrantëve, ndërsa shtoi se këta të fundit përfaqësojnë gjysmën e Shqipërisë jashtë kufijve të vendit.

“Përshëndetje dhe respektet e mia. Aktualisht Partia Demokratike ka dorëzuar në parlament propozimin se si të mundësohet votat për emigrantët. Së pari Shqipëria një zonë. Së dyti, votimi dhe numërimi elektronik dhe shtrirja e kësaj infrastrukture në të gjitha vendet ku banojnë shqiptarët, do të mundësojë që të hiqet çdo pengesë reale apo artificiale që ju ka penguar të votoni aty ku jetoni. Ky është qendrimi ynë, ky është përkushtimi ynë. Natyrisht që ndryshimi kërkon që të gjitha forcat politike të bashkohen dhe të ndryshojnë kodin zgjedhor. Partia Demokratike është në ballë të kësaj beteje për votën e emigrantëve, për emigrantët që aktualisht përfaqësojnë gjysmën e Shqipërisë jashtë kufijve të Shqipërisë”, tha Basha.

Gjithashtu, kreu demokrat është ndalur dhe te një pyetje që i është bërë për arsimin. Ai tha se ambicia është shqiptarët të kenë mundësi t’ju japin fëmijëve të tyre arsimin më të mirë në Ballkanin Perëndimor.

“Përshëndetje! E vështirë ta përmbledhësh me pak fjalë. Arsimi sot është në nivel të mjerueshëm, këtë e tregojnë edhe vlerësimet e Pisa-s. Por kjo nuk mund të na frenojë në ambiciet që kemi. Dhe ambicia është shqiptarët të kenë mundësi t’ju japin fëmijëve të tyre arsimin më të mirë në ballkanin perëndimor. Për këtë duhet të investojmë tek mësuesit, tek infrastruktura shkollore dhe universitare dhe duhet të bëjmë të mundur që çdo familje shqiptare pavarësisht prej të ardhurave të kenë mundësi t’ju japë fëmijëve të tyre arsimin universitar. Jo thjesht një diplomë, por një profesion për të nesërmen që t’ju garantojë paga dinjitoze, të ardhura të mjaftueshme për një jetë të mirë për ta dhe familjet e tyre. Shumë shpejt ky program do të shpaloset në detaje, do të kemi mundësi ta debatojmë së bashku”, deklaroi Basha.