Engjëll Musai: Padia e Ramës për Haradinajn tregoi nacionalizmin falco të “Rilindësve”

170

Nëse Aleksandër Vuçiç do të padiste kreun e Listës Serbe në Mitrovicë, nuk ka asnjë dyshim që mbarë populli serb do të ishte ngritur në protesta për të larguar kryeministrin dhe do ta konsideronte Vuçiçin si tradhtarin e Serbisë. Dhe koha ka treguar se serbët  për interesat e tyre kombëtare kanë qenë shkaktarë edhe të luftërave botërore. Ndërkaq shqiptarët dhe mbarë opinioni botëror u ndjenë të trishtuar, por edhe të shokuar kur u njohën me lajmin që Edi Rama ka paditur në gjykatën e Prishtinës Heroin e UÇK-së, Ramush Haradinaj.

Me këtë akt Edi Rama ka prekur fundin dhe kjo lëvizje përbën  veprimin më të rëndë dhe më të turpshëm të Kryeministrit në detyrë të Shqipërisë. Pikërisht, kur mbarë bota përkujtonte një nga masakrat më të rënda pas Luftës së Dytë Botërore sikurse ishte gjenocidi serb mbi popullsinë e pafajshme të shqiptarëve të Kosovës në Reçak, Rama zgjodhi me vetëdije apo i “kushtëzuar nga qarqe antishqiptare” të ndërmarrë një akt të rëndë që pa mëdyshje mund të quhet “atentat kombëtar”.

Për nga mënyra dhe pasojat,  vështirë se mund të ketë ndodhur në historinë e dy kombeve të ndara një veprim i tillë që do t’i shkonte për shtat vetëm armiqve të kombit të vet. E ndërsa Kombi Shqiptar gjendet i copëtuar e i ndarë në 5 shtete (Shqipëri-Kosovë-Maqedoni-Mal i Zi dhe Çamëri), Kryeministri Shqiptar që duhej të ishte i fundit që mund të ndërmerrte një padi ndaj Kryeministrit të Kosovës, në mënyrë të pakuptueshme i bën një nga shërbimet më të vyera armiqve të Kombit.

Edi Rama i gënjyer nga këshilltarë jo profesionalë, të paaftë apo ushtarë të verbër kërkon të marrë atributet e pronarit dhe tërësisë njerëzore dhe tokësore të Shqipërisë, Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare. Përplasjet Rama-Haradinaj filluan me vendosjen e Taksës ndaj Serbisë dhe u thelluan më tej me të ashtuquajturin Mini Shengenin Ballkanik, ku përjashtimi i Kosovës prej tij është tradhti e pastër dhe shitje e interesave kombëtare, ashtu sikurse bëri Ahmet Zogu që erdhi me mbështetjen e çetnikëve serbë dhe atyre bjellogardistëve rusë, apo sikurse bëri Esat Pashë Toptani në Marrëveshjen e turpit me Pashiçin.

Me sa duket, historia përsëritet dhe e gjitha kjo situatë është krijuar prej veprimeve të papërgjegjshme dhe antikushtetuese të Z .Edi Rama, pasi gjithçka që po ndodh me të ashtuquajturin Mini Shengen Ballkanik është jashtë kuadrit ligjor dhe tradhti kombëtare.

Zhvillimi i bisedimeve për një traktat të tillë ndërkombëtar kërkon patjetër autorizimin ose plotfuqishmërinë që lëshohet, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nga Presidenti i Republikës. I njëjti veprim pa autorizimin e Presidentit të Republikës u krye në kohën kur qeveriste PD-ja mbi Marrëveshjen për Ujërat Detare me Greqinë dhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi me vota të plota 9 me 0.

Edhe Mini Shengeni, i cili u bë shkak që Rama të padisë Haradinajn, është një traktat që lidhet në parim në emër të Republikës së Shqipërisë dhe që një Plotfuqishmëri e tillë nuk është lëshuar nga Presidenti i Republikës. Në përputhje me Nenin 122 dhe 131 të Kushtetutës çdo traktat i tillë duhet të ratifikohet, por pasi të jetë shqyrtuar më parë nga Gjykata Kushtetuese, e cila tek ne nuk ekziston.

Madje, gjithçka që ka ndodhur deri më tani me takimet e të ashtuquajturit Mini-Shengen është e paligjshme dhe e pavlefshme, në kuptim të Konventës së Vjenës për të Drejtat e Traktateve dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ndaj Kryeministri Edi Rama të tërheqë padinë ndaj Kryeministrit Haradinaj me nder dhe sa nuk është vonë, sepse nesër turpi do të bjerë mbi të.

Zoti Rama për t’u shfaqur i dashur para Serbisë ka marrë mbi supe urrejtjen e gati 10 milionë shqiptarëve kudo në Botë. Është koha të veprojë menjëherë, pasi një ditë herët apo vonë do të pësojë fatin e Ahmet Zogut dhe kryetradhtarit Esat Pashë Toptani. Fakti që mediat serbe dhe greke fërkonin duart me papërgjegjshmërinë e tij, tregon se në çfarë derexheje është katandisur ai vetë dhe në çfarë humnere po kërkon të fusë Kombin Shqiptar.

Nacionalizmi falso i Edi Ramës, flamujt e fushatave dhe harresa për Babain dhe Heroin e Kombit

Në dy fushatat e fundit elektorale atë Parlamentare të 2017-s dhe Lokale të 2019-s , kryeministrin Rama e kemi parë me Flamurin Kombëtar në sheshe dhe salla për të treguar nacionalistin dhe atdhetarin e Kombit. Por asnjë nga shqiptarët, madje edhe ata gjendeshin në këto tubime nuk e besonin që Rama është personi që mendon për Kombin dhe, aq më tepër, që t’i dhimbset Kombi i shqiptarëve. Dhe këtë akt bombastik në dukje,por shumë falso në realitet e ndeshëm dje dhe sot nga qeveria dhe Kryeministri i flamujve të fushatave.

-Dje ishte 176-vjetori i lindjes së Babait të Kombit dhe Flamurtarit të Pavarësisë, Ismail Qemalit. Askush nuk u kujtua. Nuk u zhvillua as edhe një ceremoni e thjeshtë, ndërkohë që Rama i bie kryq e tërthor mbarë vendit kur bëhet fjalë për të inauguruar ndonjë qendër shëndetësore apo edhe shkollë, paçka se atyre u ka rënë suvaja dhe i ka shkërmoqur tërmeti. Por Mini-Shengeni që ai ka ideuar bashkë me Vuçiçin ,është krejt i kundërt me aspiratat e Flamurtarit të 28 Nëntorit 1912 .

-Sot është një ditë e trishtuar për shqiptarët por që meriton respekt për t’u kujtuar. Është 17 Janari, dita kur shqiptarët dhe Evropa vajtuan për vdekjen e Heroit të Kombit, Gjergj Kastrioti –Skënderbeu. Asnjë aktivitet gjatë javës, as nga qeveria, as nga bota akademike, ministria e Mbrojtjes, përfaqësitë diplomatike, të cilat në këtë ditë kishin rastin t’u tregonin evropianëve se ne jemi pasardhësit e Heroit që shpëtoi Evropën nga otomanët dhe sulltanët. Edhe në këtë ditë të shënuar Edi Rama që udhëton e fluturon nëpër Ballkan sa tek Vuçiçi e sa tek Erdogani, me siguri ka harruar që kjo ditë është e Para në memorien e Kombit. Shpresojmë që të mos ketë ndonjë arsye tjetër kjo “harresë” , dhe të mos jetë shkak i qejfmbetjes së vëllait të tij Erdogan.

Duke i mbyllur këto rreshta modeste pas të cilave nuk kam asnjë shpresë për reflektim nga kryeministri i Shqipërisë sime të dashur, por edhe të vuajtur Edi Rama, për atë çka gatoi me padinë për vëllain tonë shqiptar në Kosovë , por edhe për harresën dhe mosrespektimin e dy figurave më të mëdha të Kombit Shqiptar; Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Ismail Qemal Vlorës po i tregoj se si veproi Gjermania Perëndimore për bashkimin e saj me Gjermaninë Lindore: “Gjermania Perëndimore u nda pas Luftës së Dytë Botërore, me Gjermaninë Lindore nëpërmjet Murit të Berlinit.

Gjermania Perëndimorët kur ushqeheshin në mënyrë të heshtur, por me zemër dhe bindje se do të triumfonin, edukuan fëmijët e tyre se nga tre vakte, duhet të hanin vetëm dy vakte në ditë. Një vakt duhej ta kursenin, sepse me ato kursime do të blinin Gjermaninë Lindore, të cilën e ndanë padrejtësisht dhe për shkak të piktorit të dështuar Adolf Hitler. Pasi u fuqizuan dhe me ndërgjegje të plotë Gjermania Perëndimore, falë edhe mbështetjes strategjike të SHBA-ve e “RI-BLEU” nga Bashkimi Sovjetik Gjermaninë Lindore. Veprimi i parë që bënë dy Gjermanitë ishte rrëzimi i Murit të Berlinit dhe heqja e barrierave ndarëse mes tyre, duke e bërë kombin më të fortë në Evropë dhe Botë” .

Po ne a jemi në të njëjtin drejtim dhe mësim që historia tashmë e ka provuar? Taksa e Rrugës së Kombit dhe padia për luftëtarin e UÇK-së dhe simbolin e rezistencës Kombëtare po tregon të kundërtën.Denoncimin e Ramës ndaj Heroit të UÇK do ta kishte zili edhe vetë prokurorja e Tribunalit të Hagës,  Karla del Ponte.