Kokëdhima: Raporti i OSBE-ODIHR do të harrohet shpejt!

527

Drejtuesi i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, në një reagim në Facebook, pas publikimit të raportit të monitorimit të OSBE/ODIHR-it, u shpreh se nuk kishte asnjë iluzion që Rilindja dhe PD-ja do të bënin zgjedhje me standarde, ndaj edhe kjo ishte arsyeja kryesore që nuk u fut në zgjedhjet parlamentare. Sipas Kokëdhimës PS dhe PD nuk bëjnë dot dhe as nuk kanë vullnet që të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe pret që parlamenti i ri të zgjidhë përfundimisht problemin e zgjedhjeve në Shqipërië

Statusi i plotë në Facebook

Delegacioni i OSBE/ODIHR-it dhe koordinatori Robert Batelli konfirmuan se: “Prisja që këto zgjedhje të ishin më të mira, por janë njësoj si zgjedhjet e mëparshme”. ZGJIDHJA nuk kishte asnjë iluzion se Rilindja dhe PD-ja nuk mund të bëjnë zgjedhje me standarde. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që Zgjidhja nuk u përfshi në këto zgjedhje dhe kërkoi bojkotimin e tyre. Misionet ndërkombëtare të monitorimit dhe të certifikimit të zgjedhjeve nuk kanë mundur ta ndihmojnë Shqipërinë që të arrijë të bëjë zgjedhje me standarde. Nuk kishte asnjë arsye që OSBE/ODIHR-i të priste zgjedhje më të mira se ato të shkuarat.

Edhe 100 vjet po të vazhdojë t’i bëjë zgjedhjet Rilindja dhe PD-ja me këtë kod e sistem dhe me këtë infrastrukturë e teknologji zgjedhore, Shqipëria nuk do bëjë dot zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet e 25 qershorit u bënë me dhjetëra shkelje të rënda të ligjit dhe kushtetutës. Zgjedhjet e 25 qershorit janë të pabesueshme, të pandershme, të deformuara dhe jo të lira. Raporti i sotëm i OSBE/ODIHR-it do harrohet shpejt pas zgjedhjeve të ardhshme që do jenë si ato të 25 qershorit.

PS dhe PD nuk bëjnë dot dhe as nuk kanë vullnet që të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme. Të dy partitë e mëdha e të vjetra, sa herë janë në pushtet vjedhin, trafikojnë, manipulojnë, blejnë e shesin votat në çdo palë zgjedhje! Zgjidhja pret që puna e parë e parlamentit të ri të jetë reforma zgjedhore dhe çdo masë tjetër që do të zgjidhte përfundimisht problemin e zgjedhjeve në Shqipëri.