Ministrja e shkarkuar presion mësuesve, ju kërkon votën

225

Ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ka shkelur sërish ligjin, këtë herë ju ka dërguar mesazh mësuesve duke ju kërkuar votën.

Pavarësisht se ajo nuk është më Ministre Arsimi, kjo pak rëndësi ka për Nikollën. Mesazhi i Nikollës është bërë publik nga ish-kryeministri Sali Berisha.

‘Ku pyet per ligjin ndrikull Nikolla apo “madam Vila”!

Ky eshte mesazhi qe shperndan

me sms diten e heshtjes elektorale “Madame Vila”

-apo ndrikull Nikolla,

-qe nderton vilen luksoze,

-me parate dhe e vjedhura nga fondet e arsimit! sb

“Të dashur mësuese e mësues të Shqipërisë,

Edhe pak orë kanë mbetur nga një moment historik për Shqipërinë: të mund të ecim përpara me punët e nisura ose të rrezikojmë kthimin pas.

Dëshiroj t’ju flas me zemër. Nuk dua asnjë vrarje ndërgjegje, se nuk ndava me ju të vërtetat e mia.

Puna dhe e vërteta nuk mund të tradhtohet. Puna dhe e vërteta janë vlera, të cilat të gjithë ju punoni për t’i edukuar tek fëmijët dhe të rinjtë e Shqipërisë.

Moda për të goditur reformën në arsim:

Është kurthi për të kthyer pas piramidat universitare. Plot 22 universitete që jo vetëm i hapën, por edhe iu shërbyen si vatra për të bërë vota me bursa e diploma të pamerituara.

Është poshtërsia për të vijuar dhe hedhur në sistemin arsimor mësues me diploma të blera.

Padrejtësisht ata do t’ju konkurojnë, ju që keni derdhur aq shumë mund e djersë për t’u arsimuar e kualifikuar.

Është tradhtia për të futur në sistem mësues pa licensë e pa arsim përkatës, sepse për emërimet do të vendosë partia dhe korrupsioni dhe jo më portali “Mësues për Shqipërinë”.

Është zelli për të goditur sërish universitetet publike, duke i kthyer në vatra të ndërhyrjes së politikës dhe të mos zgjerimit të autonomisë.

Shihni si bërtasin: “U dyfishuan dhe u trefishuan tarifat e studimit”! Por universitetet publikojnë tarifat që nuk janë rritur asnjë qindarkë. Kush pyet për të vërtetën? Jo Jo. Vota me pahir për të ndalur edhe procesin e akreditimit, që po bëhet nga agjensia britanike, për herë të parë në vend.

Mos më lini vetëm kolegë!

Beteja e jetës për të marrë vendimin e mbylljes së 22 universiteteve nuk ishte e lehtë. Me buçasin në vesh ulërimat nga të katër anët për të mos guxuar e mbyllur Kristalin, Vitrinat, Planetarin, Geraldinën, Argentin, Ndërkombëtarin, Amerikanin etj dhe sot po të njëjtët, njëherë thonë që po favorizoj privatin dhe një herë tjetër qajnë hallin e maturantëve që do të arsimohen në universitete të akredituara, me standardet e BE.

Të dashur miq,

Ju e dini fare mirë se çfarë bën sistemi ynë i ri i pranimeve në universitet. Ky është sistemi që bota e qytetëruar përdor. Iu sulën skemës së pranimeve, pa kuptuar asgjë, përveç ngazëllimit të përbaltjes së radhës. Ju e dini: shkaktarë të panikut ishin vetëm ata që nuk lanë foltore e portal pa bërtitur gazin e tyre me lot krokodili.

Mos më lini vetëm!

Duhet vijuar reforma e gjimnazit, aq e dëshiruar nga ju. Duhet përmbushur plotësimi i tërë kurrikulës së re me tekstet e reja. Mos harroni: tekstet e korrupsionit presin për t’u rikthyer.

Sa shumë jeni lodhur e përkushtuar për ta larguar maturën nga të kopjuarit dhe nga ndërhyrjet e paprincipta të ministrit, për të vendosur se sa kalojnë e sa mbesin. E fituat atë beteje. Nuk mund të ketë më kthim pas!

Po ju ia dolët në këto 44 muaj të fitonit edhe betejen e jopolitikës në shkollë. U ndietë të lirë për të punuar të qetë e të patrazuar nga deputetë, kryetarë bashkie apo partie.

Jo, Jo! Ju nuk mund të lejoni kthimin pas!

Nëse ende keni ndonjë dilemë, shikoni kush këshilloi këto ditë në MAS:

një e licensës abuzive të Vitrinës, një i teksteve të korrupsionit, një i maturës së kopjes dhe tjetri i shkeljeve në komisionin e vlerësimit të titujve akademikë.

Ky është shëmbulli më i qartë se sa shumë kemi për të humbur, nëse kthehemi pas.

Të dashur kolegë,

Nuk dua të lëndoj askënd me fjalët e mia. Dua t’ju them vetëm të vërtetën e betejave të fituara falë jush! Jam e vetëdijshme që kemi ende shumë për të bërë për arsimin që duam për fëmijët tanë!

Beteja të reja na presin! Por ne do t’i fitojmë, ashtu si fituam në këto 44 muaj!

Mirënjohje për lodhjen dhe pasionin tuaj!

Përqafime,

Lindita NIKOLLA”, shkruan në facebook ish-kryeministri Berisha./syri.net/