Një urim për RD-në dhe një këshillë për Lulzim Bashën

33

Nga Bledian Koka /

Atë ditë ishte e Shtunë, dhe data shënonte 5 Janar 1991. 27 vjet më parë doli në dritë gazeta e parë opozitare, e cila ofroi për publikun informacionin alternativ, dhe jo mizerjen e zakonshme të propagandës komuniste që ofronin Zëri i Popullit & Co.

Quhej Rilindja Demokratike, dhe ka hyrë në histori si dallëndyshja e parë e informacionit modern shqiptar që mëtonte lirinë. 27 vjet më parë, pa rënies së komunizmit, shqiptarët vijonin të mbanin rradhë vetëm për dy gjëra, për të blerë bukë dhe për të blerë RD-në. Emocioni që ofronte leximi i një informacioni alternativ, opozitar dhe që u fliste atyre, për këtë shqiptarët paguanin ato ditë Janari të 1991-shit 10 lekë të vjetra, dyfishin e çmimit të bukës që u duhej për të mbushur barkun e që kushtonte 5 lekë.

Në të pakta raste në historinë tonë si komb kur ne shqiptarët kemi paguar më shumë për mendjen se për stomakun. RD-ja është nga ato gazeta, që edhe pse lundron në ujëra të turbullta financiare apo  përdorimit politik për shkak të afilacionit amniotik që ka me PD-në, sërish gjithmonë ka arritur të mbijetojë për 27 vjet dhe nuk është ndërprerë asnjëherë. Madje edhe simotra e saj socialiste, Zëri i Popullit ka pushuar së ekzistuari dhe me thënë të drejtën askush nuk ia ndien mungesën.

Çdo vit, festa e daljes në dritën e botimit e RD-së është një ditë reflektimi e një momentumi historik që shënon sëpari rikthimin e lirisë së fjalës në Shqipërisë, dhe në të njëjtën kohë ajo shënon edhe rikthimin e pluralizmit në këtë tokë. Dje PD dhe RD festuan edhe njëherë sipërherë krah njëra tjetrës atë që përbën një ditë gëzimi dhe reflektimi për të dyja.

Pas Bledi Kasmit, Kryeredaktorit të nderuar të RD-së, fjalën dje e mori Lulzim Basha, kryetari i PD-së. Basha në fjalimin e tij citoi një thënie të Ayn Arendt kur tha se: “Në çastin kur nuk kemi më lirinë e medias, gjithçka mund të ndodhë. Ajo që mundëson sundimin e çdo lloj autokracie dhe diktature është se njerëzit nuk janë të informuar. E si mund të kesh një opinion nëse nuk je i informuar? Nëse dikush gënjen vazhdimisht, pasoja nuk është se ti i beson gënjeshtrat, por se askush nuk beson më në asgjë”.

Fjalë të forta për dikë që po ndjek shembullin më të keq në raport me mediat, jo për respektin që u bën, por për raportin që po ndërton me to. Raporti me mediat, nuk është shfaqja e Lulzim Bashës me kalendar, sa tek Opinioni tek Top Story, sa tek 360 Gradë e sa tek të Paekspozuarit e në kthim. Lulzim Basha prej kohësh i ka dhënë krahë një modeli raporti mediash të ngjashëm me atë të Edi Ramës në opozitë.

Lulzim Basha akuzohet se po ndjek hapat e Edi Ramës dikur në opozitë, jo vetëm duke organizuar zgjedhje farsë me kandidatë fake, apo si dikur Rama edhe ai (Luli) zgjedh metoda OJQ-sh për të protestuar. Raporti me mediat është e njëjta strategji e lëtyrshme që injektoi Edi Rama dikur në opozitës, dhe që Lulzim Basha njësoj nuk heq dorë prej saj.

Lulzim Basha sot, njësoj si Edi Rama dje, vazhdon të zhvillojë takime vetëm me kameran e Iglit (djalë zotni) dhe nën montazhin e çunave dhe gocave të zyrës së medias. Kështu ai prodhon material për median që të vetmin ndryshim që kanë me ushqimin fals të Edi Ramës dikur, është se sot nuk vijnë më me kaseta e cd, por me WeTransfer. Sa banale. Në këtë pikë shpesh lind pyetja se ku ndryshon Lulzim Basha nga Erion Veliaj?

A nuk i vrasin edhe kuajt kështu?!… Sa herë Lulzim Basha flet për lirinë e medias sot, aq herë ai të kujton Edi Ramën dje. Unë nuk e kam tagrin ta këshilloj personalisht Lulzim Bashën dhe as nuk e kam pretenduar kurrë një raport të tillë. Në të paktat herë që e kam bërë dikur, (deri kur ai i vuri shkelmin demokracisë së Partisë Demokratike duke përdhosur zgjedhjet e duke tradhëtuar opozicionin), ia kam thënë që duhet të hiqte dorë nga modeli i Edi Ramës në raport me përçimin e informacionit partiak tek mediat.

Por, Lulzim Basha ka një veti të keqe, sidomos për një kryetar partie opozitë. Ai nuk dëgjon!… Dhe kur nuk dëgjon, edhe nuk kupton, dhe kur nuk kupton e nuk dëgjon, qartazi edhe gabon. Lulzim Basha ka vendosur të kopjojë Edi Ramën, me gjasën e rrugëtimit që mirë keq pas 8 vjetësh do ta bëjnë kryeministër edhe duke dremitur opozitarisht.

Fati politik i Lulzimit është gjëja e fundit që më shqetëson në këtë botë, ama fati politik i opozitës që për momentin ka kryetar Bashën ndonjëherë me lë pa gjumë. Dhe i pari shqetësim që ma shkakton pështjellimin (pas vrasjes së demokracisë së PD-së dhe tradhëtisë ndaj opozitarizmit), është raporti që PD ka me median si nocion. Sepse njësoj si Edi Rama DJE, edhe Lulzim Basha SOT, vijon të furnizojë mediat me kronika të montuara, me shpresën se kështu do të bëhet Kryeministër… NESËR!…

SYRI.net