Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2017 kapën vlerën mbi 3,457 milionë lekë, ose 17.62% më shumë se në periudhën janar-mars 2016.
Sipas raportit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, mbi zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri, për periudhën janar-mars 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 275,020 me një rritje prej 23.65% krahasuar me periudhën janar-mars 2016.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.67% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.31% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.02%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.71% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.29% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-mars 2017, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,479 milionë lekë, ose 83.70% më shumë se në periudhën janar-mars 2016./a.gjonaj/