Austri: Parlamenti austriak ka votuar pro detyrimit të përgjithshëm të vaksinimit, ose 3600 € gjobë

105

Parlamenti austriak ka votuar pro detyrimit të përgjithshëm për të vaksinuar të rriturit, i cili do të zbatohet nga 1 shkurti. Gjobat për ata që nuk respektojnë arrijnë deri në 3.600 euro.

Austria do të bëhet vendi i parë evropian që do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin kundër koronavirusit për të rriturit në muajin shkurt, një vendim i shpallur më 16 janar nga kancelari Carl Nehammer, duke pranuar se ishte “një çështje e ndjeshme”.

Propozimi i qeverisë austriake për të vaksinuar të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, me përjashtim të grave shtatzëna, atyre që nuk duhet të vaksinohen për arsye mjekësore dhe atyre që janë shëruar nga Covid-19 në gjashtë muajt e fundit, u miratua me 137 vota pro 33 vota kundra dhe 13 abstenime.

Më 3 shkurt pritet të miratohet nga Këshilli Federal i vendit. Përveç partive të koalicionit qeverisës, shumë deputetë socialdemokratë (SPÖ) dhe NEOS liberale votuan pro detyrimit të përgjithshëm të vaksinimit.

Në fazën e parë, autoritetet do të informojnë qytetarët me shkresa dhe nga mesi i marsit do të nisin kontrollet kampione për zbatimin e masës. Kushdo që nuk mund të provojë se është vaksinuar do të duhet ta vërtetojë më vonë me shkrim ose të paguajë një gjobë prej 600 euro.

Nëse masa nuk jep efektin e dëshiruar, organet kompetente do të bëjnë terminet për vaksinimin e qytetarëve dhe ata që nuk vijnë do të dënohen me gjobë, e cila do të arrijë në 3600 euro. I njëjti person mund të vendoset me gjobë deri në katër herë në vit, ndërsa përmbajtja e detyrimit të përgjithshëm mund të rishikohet në të ardhmen, nëse e kërkojnë kushtet epidemiologjike.

Një ditë më parë, rreth 27,000 njerëz kishin demonstruar në Vjenë kundër masave, të cilat ata i përshkruan si një sulm ndaj lirive individuale.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: