Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë për në datën 11 prill 2017 seancën e saj të radhës për çështjen “Xibraka”, ku mes nëntë të arrestuarve është edhe nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha. Ky i fundit akuzohet për veprat penale “trafik droge” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Seanca e radhës u shty për shkak të mungesës së një prej anëtarëve të trupit gjykues, i cili kishte njoftuar më herët mospraninë e tij për arsye shëndetësore. Por “BalkanWeb” mëson se vendimi për të lënë në 11 Prill, seancën pasardhëse nuk është pritur mirë nga Kosta Basha, avokati i Ermal Hoxhës. “Seancën nuk mund ta lini dot në datën 11 prill sepse atë ditë klienti im e ka ditë zie”, – ka deklaruar ndër të tjera ai, duke nënkuptuar pikërisht përkujtimin në këtë datë të vdekjes së Enver Hoxhës.
Nipi i Enver Hoxhës u arrestua si pjesë e bandës së trafikut të drogës pasi më parë ishte filmuar nga agjentët e policisë në laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit. Ai kishte vizituar vendin ku përpunohej pluhuri i bardhë dhe kjo e ka implikuar. Në shtëpinë e vjehrrit në Durrës, u gjend edhe automjeti i tij tip “Volvo” me ngjyrë blu, e cili iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga ana e specialistëve të antidrogës.