Azem PARLLAKU / Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, urdhëroi që treni i dekoruar me detaje nacionaliste serbe, i nisur nga Beogradi me destinacion veriun e Kosovës, të ndalej në Rashkë. Këtë herë Serbia, është ajo që provokon tension, në një kohë kur armiqësitë e saj me Kosovën, ende nuk janë shuar.
Zyrtarët e Kosovës protestuan se treni ishte një shkelje e sovranitetit të vendit dhe premtuan se nuk do ta lejonin të hynte. Ndërsa kryeministri i Serbisë, Vuçiq urdhëroi që të ndalej treni, pasi i afrohej kufirit, duke tënë se shqiptarët e Kosovës kanë tentuar t’a minojnë hekurudhën. Një gjë e tillë është mohuar nga Policia e Kosovës, që e ka kontrolluar hekurudhën. Treni i dekoruar me ngjyrat e flamurit serb dhe me slloganin “Kosova është Serbi” është një provokim nga ana e Serbisë, dhe mund të shihet dhe si një tentativë, nëpërmjet të cilës politika serbe, kërkon të testojë reagimin e faktorit shqiptarë e më gjerë.
Nga ana e tyre autoritetet serbe, kanë nxituar të komentojnë me superlativa për veprimet e Vuçiqit, që sipas tyre Kryeministri e ka parandaluar një konflikt të përgjakshëm që mund të ndodhte në veri të Kosovës. Sipas mbështetësve të Vuçiqit, po të mos ishte reagimi i qetë dhe i mençur i Kryeministrit në veri të Kosovës, do të ndodhte një konflikt i përgjakshëm. Ndërkohë thonë ata, Serbia nuk do të tolerojë dhunë kundër serbëve në Kosovë. Kthimi prapa i trenit serb me ikonogfafi mesjetare është vlerësuar njëzëri nga faktori shqiptar, duke vlerësuar vendosmërinë shtetërore të autoriteteve të Kosovës. E sigurisht kjo vendosmëri tani e tutje duhet të vazhdojë me krijimin e konsensusit politik për një qasje të re në mardhëniet e Kosovës me Serbinë.
“Kjo është lutja ime e fundit dhe porosia e fundit për shqiptarët në Kosovë e Metohi, por edhe për serbët. Serbët duhet të rrinë në Kosovë, kurse për shqiptarët, mos provoni të sulmoni serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta tolerojë një gjë të tillë. Kjo është porosi e imja për tërë botën. Nuk duhet ta rrënojmë paqen në Ballkan, por le ta dinë mirë se çfarë po i porosis. Mos i vrisni serbët, se do të detyrohemi t’i mbrojmë” tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.
Por çfarë ka në mendje Kryeministri i Serbisë, Vuçiq? Kjo është një pyetje që duhet t’i shqetësojë autoritetet shqiptare dhe ata Europiane. Vuçiq iu drejtua shqiptarëve me një lutje që të mos i vrasin serbët me armë. Me këtë thirrje Kryeministri i Serbisë, nuk po bën tjetër veçse, po paralajmëron veprime të mundshme, ndërkohë që shqiptarët gjithnjë e më shumë janë dëshmuar paqësorë, karshi komunitetit serb në Kosovë. A duhet të konsiderohet kjo thirrje e Vuçiqit si një sinjal që vetë Serbia, të kryejë vrasje të popullatës serbe në Kosovë, e më tej të fajësojë shqiptarët “që po vrasin”!
Duke e ekspozuar potencialisht të rrezikuar komunitetin serb në Kosovë, Vuçiq po tenton të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimi Europian, të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, ndaj strukturave të sigurisë dhe ndaj marrëveshjeve të Brukselit. Me këtë, do të shfaqej pretendimi për të shpallur si të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme formulimet në Marrëveshjen për Asociacionin, e së këndejmi të përkrahej, ose së paku të mos pengohej krijimi i njëanshëm i një “Republika Srpska” në Kosovë. Që shqiptarët nuk do t’a kundërshtojnë me çdo mënyrë një akt të tillë, kjo është e padiskutueshme. Një ndërhyrje me forcë për t’a penguar krijimin e një “Republika Srpska”, do të bënte që, Serbia të kundërpërgjigjej me pretekstin për të mbrojtur serbët nga “terroristët” shqiptarë. Detyrimisht për të shmangur një situatë të tillë autoritetet shqiptare duhet të kërkojnë fort mbështetjen nga ana e faktorit ndërkombëtar, i cili nuk duhet të lejojë që, plani serbo-rus të implementohet në Ballkan.
Një tjetër ide që Vuçiq mund të ketë në kokë është ajo, e organizimit të protestave të vazhdueshme, nëpërmjet të cilave serbët do të ankohen se po dhunohen nga shqiptarët, e kështu shteti serb do ti mëshonte fort “viktimizimit” të komunitetit serb në Kosovë. Nëpërmjet kësaj ideje, do të kërkohej rifuqizimi i UNMIK-ut, mbasi shtetit të Kosovës i ka dalë situata jashtë kontrollit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në Twitter, ka shkruar se shpreson që Serbia e ka marrë një leksion, kur bëhet fjalë për projektet e saj ekstremiste. “Shpresoj se leksioni u kuptua nga ky provokim. Fqinjët e mirë nuk ndërhyjnë me projekte ekstremiste, ata dialogojnë”, ka shkruar Thaçi, ç’ka nënkupton që qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës, janë të vetdijshëm për lojën, që po përpiqet të bëjë Serbia.