Trajneri francez, Didier Deschamps thotë se Shqipëria nuk mund të quhet vetëm një surprizë në europian dhe shpreson që në përballjen me kuqezinjtë në fazën e grupeve, të lihet pas figura e keqe në dy ndeshjet miqësore të zhvilluara në eliminatore.
Deschamps ka folur për Federatën Shqiptare të Futbollit, ku bën edhe një analizë për kundërshtarët e tjerë të grupit.
Intervista:
Pyetje: Vendi juaj ka fituar dy finale Europiani , në 1984 dhe 2000. Çfarë nënkupton një titull i tretë , sidomos kur luani në shtëpi?
Deschamps: Kjo do të tregojë se futbolli francez po punon në drejtimin e duhur dhe që vazhdon të formojë dhe stërvisë lojtarë shumë të mirë, që do të sjellin suksese të bukura për klubet e mëdha europiane. Shumë mendojnë se kjo do të jetë e dëmshme për kampionantin francez, por besoj se ekipi kombëtar do të përfitojë nga ky progres i shpejtë.
Pyetje: Në raudin e parë do të ndesheni kundër Zvicrës, Rumanisë dhe Shqipërisë. Kush është për ju kundërshtari më i fortë?
Deschamps: Grupi është shumë homogjen dhe analistët e vendosin Francën si favorite duke qenë dhe vend organizator. Por ne kemi respekt të jashtzakonshëm për kundërshtarët tanë. Nuk besoj se kemi avantazh që ndeshjen e hapjes e luajmë kundër një ekipi të vështirë dhe kurajoz siç është Rumania.
Pyetje: Çfarë pritshmërish keni nga Shqipëria?
Deschamps: Ne shpresojmë që të gjejmë një mënyrë për të zgjidhur problemet që kishim gjatë ndeshjeve kualifikuese kundër ekipit të Shqipërisë (barazim në Rennes, humbje në Tiranë). Këtu ka të bëjë dhe fati. Nëse një ekip merr 5 nga 6 pikët e mundshme në vetëm 2 ndeshje, nuk mund të pretendojmë se ishte vetëm një surprizë.
Pyetje: Kë nga lojtarët njihni më mirë?
Deschamps: Ne e kemi studiuar mirë mënyrë e lojës e të gjithë ekipit të Shqipërisë, kështu që i dimë karakteristikat e tyre, forcën dhe në raste kur ka edhe dobësinë e tyre.
Pyetje: Si e gjykoni punën e trajnerit De Biasi? Ai e kualifikoi Shqipërinë për herë të parë në histori në Kampionatin Europian.
Deschamps: Ai ka bërë një punë të shkëlqyer dhe nuk e them për t’i bërë qejfin. Në aspektin futbollistik, ai mori më të mirën e shkollës italiane dhe e aplikoi tek ekipi shqiptar. Ai i arriti këto rezultate me burime të pamjaftueshme, burime qe nuk krahasohen me nivelin italian. Aftësia për t’u përshtatur është një tregues i mirë për të nxjerrë në pah një trajner të mirë.
Pyetje: Parashikimi juaj, kush do të kurorëzohet Kampion Europe?
Deschamps: Unë nuk bëj asnjëherë parashikime, por të gjithë e dinë se mund të jenë 5 ose 6 skuadra që do të kenë mundësitë më të mëdha për ta gjetur veten në finale.