Ekspertët tregojnë temperaturën ideale të kondicionerit gjatë verës

Shendeti

Vala e të nxehtit që ka prekur vendin e ka bërë kondicionerin protagonist absolut në shtëpi dhe zyra. Bëhet fjalë për një pajisje që ndikon edhe në shëndetin tonë.

Kjo sepse nëse dhoma është shumë e ftohtë, do të ndjejmë dhimbje fyti dhe madje dhimbje koke. Temperatura mesatare e trupit është 36 gradë, kështu që një temperaturë shumë e ulët do të shkaktojë një goditje termike që mund të na dëmtojë.

Ekspertët thonë se një temperaturë perfekte në dhomë është midis 26-27 gradë. Edhe pse, sigurisht, varet edhe nga lloji i njerëzve, numri i tyre dhe nga fakti nëse dhoma mund të mbyllet që të mos humbasë freskia, nëse nuk ekspozohet drejtpërdrejt në diell, nëse ka foshnja ose persona vulnerabël, si për shembull të moshuarit. Nëse keni edhe ventilator, mund të alternoni përdorimin e ajrit të kondicionuar dhe ventilatorit.

Mjekët theksojnë se i ftohti dhe thatësia e ambientit mund të çojnë në kontraktura të muskujve, kur rryma e ajrit të ftohtë i godet drejtpërdrejt, veçanërisht nëse bini në gjumë nën një rrymë ajri ose jeni duke punuar me orë të tëra nën një kondicioner.

Ndërkohë, një mjek spanjoll, Juan Carlos Casado, tha për “El País” se mbajtja e kondicionerit në një temperaturë nën 24 gradë është “mjaft e dëmshme”.

“Hunda ka disa filtra që ngrohin, lagështojnë dhe pastrojnë ajrin që hyn në të. Nëse ajri hyn i ftohtë, mund të shkaktojë infeksione në rrugët e sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes”, shpjegon ai.

Ngjirja e zërit, humbja e zërit, ftohjet e verës, janë gjithashtu shumë të zakonshme kur “jetoni” nën ajër të kondicionuar. Edhe nëse flini me gojë hapur dhe keni kondicionerin ndezur, ajri i thatë do të irritojë rrugët tona të frymëmarrjes.