Asnjë qeveri nuk e ka parë çështjen e emigracionit shqiptar me seriozitet edhe pse kemi përmasat më të larta të emigracionit në botë për frymë, aq sa sot pas 25 viteve demokraci ja kalojmë dhe vendeve ku zhvillohet lufta.
Shpëtim ZINXHIRIA / Kjo shifër e pabesueshme është publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Destinacionet kryesore për emigrim janë: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë, ndërsa në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar ka mbi 10 mijë.
Shqipëria dhe Kosova kanë shkallën më të lartë të emigrimit. Koeficienti i emigrimit legal është 32-34 për qind, por duhet të jetë më i lartë, pasi këtu nuk llogariten emigrantët ilegalë, të paregjistruar. Prej shumë vitesh dihet se Sa më shumë trazohet jeta politike në Shqipëri, aq më të prirur janë shqiptarët të largohen nga vendi i tyre. Nuk është e vështirë të kuptohet se shqiptarët detyrohen të largohen, sepse i dëbon vendi i vet. Një pjesë detyrohen të largohen, se nuk gjejnë punë. Papunësia në Shqipëri është absolute, largohen dhe emigrojnë për të mbijetuar. Qeveria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet se emigrimi nuk është zgjidhje përfundimtare, por mbetet vetëm një zgjidhje e përkohshme. Rreth 80 mijë emigrantë janë kthyer nga Greqia në Shqipëri në vitet e fundit që nga shpërthimi i krizës ekonomike…
Sipas INSTAT-it, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë 40% të atyre që banojnë në vend.