Emigrantët, Trump nxjerr rregullat e reja të udhëtimit

Bota

Një udhëzim i Departamentit të Shtetit parashikon vendosjen e rregullave të reja për aplikantët për viza nga 6 vendet myslimane, pjesë e urdhrit ekzekutiv të presidentit Trump për t’u ndaluar hyrjen në Amerikë.

Përjashtime do të jenë vetëm aplikantët që kanë njerëz të rrethit të ngushtë familjar apo kontratë pune me një firmë amerikane.

Udhëzimet e reja pasojnë vendimin e Gjykatës së Lartë për të lënë pjesërisht në fuqi vendimin e presidentit që ndalon hyrjen në Amerikë të shtetasve nga 6 vende: Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Udhëzimi i Departamentit të Shtetit për kushtet e reja për viza për këto vende nuk është bërë publik, por sipas agjencive “Associated Press” dhe “Reuters” marrëdhënie e afërt familjare përfshin prindërit, bashkëshortët, fëmijët, dhëndrin, nusen, vëllanë, apo motrën që ndodhen në Shtetet e Bashkuara.

Çdo kategori tjetër lidhjesh familjare është e përjashtuar. Ndërsa po dje, presidenti Donald Trump u takua me të afërm të amerikanëve që janë vrarë nga kriminelë me qëndrim të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Takimi i transmetuar në televizion të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, synonte të nxiste mbështetjen për dy projektligje të imigracionit që pritet të shkojnë për votim këtë javë në Dhomën e Përfaqësuesve. Një prej tyre do të shtojë ndëshkimet për kriminelët e dënuar që kanë ardhur përsëri në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, ndërsa projektligjit tjetër do të ndërpresë financimet federale për qytetet që u japin strehë imigrantëve pa dokumente. Dëshmia e dhënë nga të afërmit e viktimave ishte shumë prekëse.

“Djali im Joshua ishte 18 vjeç dhe në nëntor të vitit 2010 u torturua, u rrah brutalisht dhe u vra. Më pas trupit të tij iu vu zjarri nga dikush që as që duhet të kishte qënë në këtë vend”, thotë Laura Ëilkerson. “Vrasësi ishte deportuar katër herë, kishte 15 vjet që kryente vjedhje të dhunshme dhe shkelje të tjera. Dhe arma që përdori për të vrarë djalin tij ishte marrë, siç e dimë tani, gjatë një vjedhje dy javë para vrasjes dhe ai po qëllonte për t’u argëtuar”, thotë Dan Golvach. “Vajza ime Christy Sue Piña – u vra, u mbyt, u godit, u përdhunua. Trupi i saj lakuriq u hodh në një fushë në mes të dimrit. Personi që e bëri këtë në vitin ‘87, kishte rrëmbyer një tjetër vajzë 14-vjeçare, të cilën e torturoi…”, thotë Juan Pina. Në shumicën e rasteve, të afërmit vunë në dukje se të dashurit e tyre do të ishin ende gjallë nëse vrasësit e tyre do të ishin burgosur ose deportuar.

Presidenti Trump tha se forcat e rendit po punojnë me shpejtësi për të hequr kriminelët e huaj dhe pjesëtarët e bandave jashtë vendit.. “Njerëz të këqinj – dhe kemi nxjerr jashtë shumë prej tyre tashmë. Pothuajse 50 për qind. Po i deportojmë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Po pastrojmë qytetet prej tyre”, tha Presidenti. Drejtori për Imigracionin dhe Doganat, Thomas Homan u tha gazetarëve të mërkurën se asnjë immigrant i paligjshëm nuk duhet të ndjehet “në pozita të rehatshme” në Shtetet e Bashkuara. “Ne duhet ta ndryshojmë nocionin se mund të dhunosh ligjet e këtij vendi dhe të fshihesh – kjo nuk është e drejtë”.

Administrata Trump thotë se ligjet më të ashpra të imigracionit janë të nevojshme për të ngushtuar rrugët e përdorura nga bandat kriminale për të trafikuar drogë në Shtetet e Bashkuara, për të rekrutuar anëtarë të rinj dhe për të grabitur komunitetet amerikane. Gjykata e Lartë me një vendim unanim la në fuqi, në mënyrë pjesshme, urdhrin e Trump për kufizimin e lëvizjeve për 6 shtetet me përbërje myslimane që cilësohen se kan prirje me terrorizmin. Ky urdhër u ankimua në disa gjykata në disa shtete që e rrëzuan, por vendimi i Gjykatës së Lartë i dha një fitore të madhe Trump. Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump, ndalon dhënien e vizave për udhëtarët nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni për 90 ditë dhe pezullon programin e Shteteve të Bashkuara për refugjatët për 120 ditë.