Evropa po përballet me thatësirën më të madhe në dekada

Mjedisi

Thatësira e paparë në Evropë nxjerr në pah se katastrofa klimatike është këtu

Kombinimi i dimrave më të thatë dhe valëve të vapës së njëpasnjëshme të verës ka nxitur këtë efekt.

Në Francë, reshjet në korrik ishin 85% më pak se zakonisht dhe në disa rajone të vendit autoritetet u detyruan të vendosin kufizime në përdorimin e ujit.

Të njëjtën gjë bëjnë edhe në Britani ku edhe Thames po thahet. Rezervat ujore të Spanjës janë në nivelin më të ulët historik. Në Itali ata argumentojnë se të dhënat e 230 viteve nuk krahasohen me situatën aktuale. Rrjedha e lumit Padou është ulur në mënyrë dramatike. Në Gjermani sërish niveli i Rinit dhe disa liqeneve ka rënë ndjeshëm.

Në Zvicër tashmë vlerësojnë se situata do të ndikojë në prodhimin e djathit zviceran.

Mediat evropiane mbushen çdo ditë me imazhe që tregojnë shtretërit e lumenjve dhe liqeneve të thata të ekspozuara teksa ujërat tërhiqen, për të nënvizuar përmasat e fenomenit.

E gjithë kjo nuk është në të vërtetë një “emergjencë”.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh pikërisht për këtë. Ndryshimet klimatike do t’i bëjnë ngjarjet ekstreme të motit – qofshin përmbytjet, valët e të nxehtit dhe thatësirat – pjesë të ‘normales së re’.

Dhe është vetëm fillimi.

Gjërat do të përkeqësohen derisa të kuptojmë se sa kritike është situata dhe sa urgjente është nevoja për të marrë masa. Masa që nuk mund të mos jenë përmbysje të mëdha në mënyrën se si jetojmë, punojmë, lëvizim, konsumojmë. Masat që nga disa anë mund të na ngatërrojnë dhe nga të tjerat na ndihmojnë të kuptojmë se duhet t’u japim përparësi nevojave tona reale. Masa që do të kenë kosto sociale që nuk duhet të përballojnë as shtresat më të varfra të shoqërisë dhe as vendet më të varfra të planetit. Sepse përndryshe thjesht do të shikojmë transformimin e shumë zonave në vende të pabanueshme, shumë më shpejt sesa imagjinojmë.