Gazetari Kikia :”Qytetarët janë të ekspozuar para një kapitalizmi agresiv”.

Aktualitet

Gazetari Mentor Kikia, përmes një postimi në facebook, ka bërë me dije se ai sëbashku me miq të tij intelektualë, kanë ndërmarrë një nismë qytetare për të kontribuar në përmirësimin e  jetës socio-ekonomike.

“Alternative Civile” do të quhet lëvizja më e re qytetare e cila sipas gazetarit do të ketë në fokus ndryshimin realitetit politik dhe shoqëror në Shqipëri, për të vendosur rregulla të reja në garën për pushtet dhe konkurencën ekonomike.

“Qytetarët janë të ekspozuar para një kapitalizmi agresiv, monopolist, oligarkik dhe të babëzitur, pa standarde e përgjegjësi sociale. Pasojë e kësaj sjelljeje, janë punëtorët që përplasen sot në dyert e qeverisë, pasi kompanitë private u vënë çelësin ndërmarjeve pa u paguar muaj të tërë paga. Alternativa Civile krijohet për ndryshimin e realitetit”, shkruan Kikia

Statusi i plotë i Mentor Kikisë: Për të mos mbetur vetëm kritikë!

Sëbashku me disa miq, intelektualë, profesorë, ekspertëve të fushave të ndryshme, i kemi dhënë jetë një ideje. Kemi marrë një angazhim për të kanalizuar energjitë dhe dëshirën tonë për të kontribuar për të mirën e vendit dhe popullit. Për të mos mbetur në kuadrin e kritikëve, ne kemi vendosur që të punojmë sëbashku për të prodhuar ide dhe projekte, për ti shërbyer ngritjes së standaredeve të demokracisë dhe ekonomisë së vendit. Jemi bërë bashkë në organizatën qytetare “Alternativa Civile”.

Jemi të rinj dhe të vjetër në moshë, por të gjithë të rinj në ide.

Terrni në të cilin lind “Alternativa Civile”

“Alternativa Civile”, është një grupim vullnetar qytetarësh aktivë dhe idealistë, në një përpjekje serioze për të kontribuar me energjinë dhe intelektin e tyre, në shërbim të shoqërisë, kombit dhe atdheut.

Ne vleresojmë se Shqipëria është një vend që i ka të gjitha kushtet për të qenë i zhvilluar ekonomikisht, ku populli të gëzojë të gjitha standardet e mirëqënies ekonomike. Ne gjykojmë se shoqëria shqiptare vuan sot probleme dramatike, në shumë dimensione, si pasojë e qeverisjes jo efektive, mungesës së vizionit, mungesës së planeve afatgjata dhe shpërdorimit deri në grabitje të aseteve natyrore. Kjo ka çuar në mënyrë të vazhdueshme, në pamundësinë që Shqipëria të mëkëmbet ekonomiksht, për t’iu qasur së paku standardeve të vendeve fqinjve. Për këtë dhe të tjera arsye, popullisa në moshë të re ka vijuar të humbasë shpresën për të ndërtuar jetën në vendin e tyre. Për pasojë, emigrimi ka qenë një fenomen që i ka ngjarë, jo lëvizjes së lirë të njerëzve në një treg global pune, por arratisë masive të popujve që largohen nga vendet në kriza lufte apo fatkeqësi natyrore.

Konfliktualiteti i vazhdueshëm politik, korrupsioni në shkallë të gjërë dhe në nivelet më të larta drejtuese, ka penguar që në këtë vend të instalohet shteti ligjor, dhe mbi të gjitha, një sistem drejtësie i lirë dhe i aftë të ndëshkojë zyrtarët e lartë të përfshirë në krime e korrupsion. Partitë politike, në vend që të jenë organizime vullnetare të njerëzve që ndajnë të njëjtat orientime ideologjike apo parimore, janë shndërruar në grupime politiko-ekonomike, duke u përngjarë më shumë dhomave apo shoqatave të biznesit.

Në mënyrë të vazhdueshme, ato afruan në radhët e tyre njerëz të inkriminuar edhe të pasur, si nevojë për para dhe individë të fortë që duheshin për të siguruar dhe mbrojtur votat nga njëri-tjetri. Shumë shpejt kjo tendencë prodhoi edhe precedentin e padëgjuar në Europë, ku njerëz të kërkuar nga interpoli, njerëz të dënuar me vendime të formës së prerë nga gjykata të huaja, u ulën në karrigen e ligjvënësit apo në zyra të tjerë të larta të pushtetit. Niveli i politikëbërjes dhe parlamentit ra në mënyrë dramatike, duke humbur kështu besimin tek populli.

Ky mjedis i dha një tjetër hov korrupsionit politik dhe shtetëror, duke krijuar një aleancë të fortë mes sipërmarrësve të korruptuar dhe zyrtarëve shtetërorë dhe politikë të korruptuar, të cilët kanë marrë nën kontroll asetet më të çmuara të ekonomisë kombëtare. Ata diktojnë deri edhe ligje, për të ligjëruar operacionet e tyre ekonomike, haptazi antiligjore dhe kundër interesave të qytetarëve, duke vrarë konkurencën, si shtylla kurrizore në një ekonomi tregu të lirë.

Në një vend me nivel shumë të ulët ekonomik, me nivel të lartë korrupsioni dhe me standard të ulët të zbatimit të ligjit, shteti ka vazhduar të lëshojë gjithnjë e më shumë përgjegjësitë e tij në duart e privatëve, nga shërbimi shendetësor, infrastruktura, transporti etj.

Qytetarët janë të ekspozuar para një kapitalizmi agresiv, monopolist, oligarkik dhe të babëzitur, pa standarde e përgjegjësi sociale. Pasojë e kësaj sjelljeje, janë punëtorët që përplasen sot në dyert e qeverisë, pasi kompanitë private u vënë çelësin ndërmarjeve pa u paguar muaj të tërë paga.

Qytetarët kanë provuar të zgjedhin vazhdimisht mes dy të këqijave, të keqen më të vogël, por sërish janë gjendur para një të keqeje të madhe.

Alternative Civile, vjen si një lëvizje qytetare me synime të qarta për të ndikuar në ndryshimin e këtij realiteti, për të vendosur rregulla të reja në garën për pushtet dhe konkurencën ekonomike.