Hakerimi i sistemit, Çuçi: Nuk është databaza zyrtare ajo e publikuar, po hetojmë me FBI dhe Microsoft

Aktualitet

Ministri i Brendshëm Bled Çuçi ka reaguar në lidhje me publikimin e të dhënave të sistemit MEMEX nga hakerat, pas sulmit kibernetik nga Irani.

Çuçi ka thënë për mediat perpara se te hynte në sallën e Kuvendit se nuk është databaza zyrtare ajo që ka dale nga hakerat dhe se vazhdojnë hetimet bashkë me FBI dhe Microsoft.

“Nuk është database e sistemit MEMEX që ka policia kriminale. Tashmë jemi duke parë, ju e dini që na kanë sulmuar. Ne po hetojmë. Kemi një trupë shumë të mirë nga Microsoft. Janë këtu dhe do të rrijnë shumë gjatë. Lista që është publikuar nuk është pjesë e database-s të sistemit MEMEX”-u shpreh Çuçi.

Ditën e sotme një material prej 1.7 giga ku është skeduar i gjithë informacioni policor në sistemin MEMEX për personat e dyshuar si të përfshirë në veprimtari krimianale është publikuar nga grupi i hakerave iranianë “Homeland Justice”.

Lëvizja e sotme provon edhe njëherë se sulmi kibernetik ka depërtuar në çdo njësi të sistemeve shqiptare të sigurisë dhe se pas sistemit TIMS, apo hakerimin e emaileve dhe kamerave të paraburgimit, disponimi dhe publikimi i sistemit MEMEX përbën një rrezik serioz për punën e autoriteteve shtetërore.

Me këtë publikim, çdo person i përfshirë në veprimtari kriminale mund të kërkojë dhe të shikojë sesi e paraqet policia shqiptare atë në sistemin e kërkimit.