Ligji për emigracionin ka ngjallur replika të forta mes kryetarëve të bashkive kryesore italiane dhe Matteo Salvinit. Ata e quajnë dekretin e këtij ligji çnjerëzor dhe kriminal.
Disa nga kryetarët e bashkive më të mëdha italiane njoftuan sot se nuk do të zbatojnë dekretin për sigurinë dhe emigracionin të nënshkruar nga Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini. I pari që kundërshtoi këtë dekret ishte kryetari i Palermos i cili e gjykoi si kriminal dhe çnjerëzor.
Kryebashkiaku i qendrës së majtë të kryeqytetit sicilian, Leoluca Orlando, shpjegoi sot në radion publike italiane se nuk e miraton zbatimin e ligjit. “Është tekst çnjerëzor, sepse shkel të drejtat e njeriut, dhe kriminal sepse ndihmon shkelësit e ligjit që të veprojnë në mënyrë legjitime në territorin e vendit tonë”. Ai kundërshtoi në veçanti masën që ndalon marrjen e të drejtës së banimit për një person me leje qëndrimi në territorin italian. Matteo Salvini replikoi në Facebook duke thënë. “Ju nuk bindeni? Unë nuk ju dërgoj ushtrinë”. Edhe disa zyrtarë të tjerë kanë zgjedhur të ndjekin shembullin e kolegut të tyre siçlian, përfshirë këtu kryetarët e bashkive në Napoli dhe Firence