Kokëdhima : Kush i bëri listat për deputetë. Askush nuk u pyet për të përzgjedhur përfaqësuesit e popullit?

Foto e Ditës Kryesore Politika

Partitë shqiptare janë autokratike dhe funksionojnë thjesht si bashkësi parapolitike, pa rregulla, procedura, standarde, demokraci të brendshme dhe debat e vendimmarrje kolegjiale. Ato janë prona të kryetarëve dhe të disa njerëzve afër tyre, të shkëputura nga qytetarët, anëtarët dhe militantët. Me të njëjtën frymë dhe me të njëjtën skemë hartuan listat e kandidatëve për deputetë.

Askush nuk u pyet për të përzgjedhur përfaqësuesit e popullit për 4 vitet e ardhshme. Ashtu si listat e vjetra, edhe të sivjetmet u bënë dhe vendosën vetëm nga kryetarët e partive, u publikuan vetëm në sekondën e fundit të mesnatës kur skadonte afati i dorëzimit të tyre dhe u mbushën me servilët e kryetarëve të partive. U lanë jashtë zërat ndryshe edhe ata pak njerëz që nuk mendonin me kokën e krytetarit, por me të tyren, ata që kërkuan vendimarrje nga baza dhe jo nga një njeri i vetëm. Shumë deputetë aktualë, të djegur e të diskredituar në zonat e tyre u “transferuan” në qarqe e zona të reja!

Gati 6 muaj më parë ZGJIDHJA shpalosi nismën ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua”, që Shqipëria të shpëtonte nga pushteti absolut i kryetarëve të partive, të cilët, prej dekadash, vendosin se kush duhet të jetë deputet, kryetar bashkie, këshilltar, gjyqtar, prokuror apo gjithçka tjetër në këtë vend. Mijëra qytetarë firmosën nismën tonë dhe kjo tregon se shqiptarët nuk duan që të jenë edhe më tutje të zhveshur nga çdo lloj e drejte dhe pushteti, se ata duan që të zgjedhin vetë përfaqësuesit në pushtet dhe në drejtimin e punëve të vendit. Kryetarët e partive kanë frikë nga vota e popullit dhe nuk duan të humbim monopolin e vendosjes për gjithçka.

Kryetarët e partive e shtynë edhe ca kohë këtë revolucion të pashmangshëm që duhet të ndodhë në Shqipëri, por nuk do t’i shpëtojnë dot atij. Shumë shpejt kjo gjendje do të përmbyset. Qytetarët e Shqipërisë, të injoruar dhe të zhveshur nga çdo lloj pushteti deri më sot, do t’i vënë fshesën pushtetit absolutist të kryetarëve. Partia ZGJIDHJA do të jetë në krye të kësaj lëvizjeje, që Shqipëria të flakë diktaturën e kryetarëve për të ndërtuar një demokraci të vërtetë dhe funksionale. Populli shqiptar nuk duhet të pengohet nga kjo kastë dhe nga kjo konjukturë, si deri tani, që të qeverisë fatet dhe punët e veta!