Kurthi për gjobitje/ Joshi të riun, e ftoi në shtëpi për seks, por pastaj…

Aktualitet

Gjykata për Krimet e Rënda nisi dje shqyrtimin e dosjes me tre të pandehur të akuzuar për futjen në kurth përmes joshjes me seks të një 30-vjeçari, me qëllim “gjobitjen” e tij me 280 euro, raporton “Panorama”.

“Strumbullari” i gjobës ndaj të dëmtuarit, që u “peshkua” nga një vajzë që i ofroi marrëdhënie intime, ishte një borxh i pashlyer prej tij, në një vlerë prej 50 mijë lekësh të vjetër. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Marim Leka, Edmond Sina dhe Oligerta B., të cilët gjykohen në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ata ishin të pranishëm në seancën e parë të gjyqit të tyre për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes dhe dhunës për dhënien e pasurisë”, ku kërkuan gjykim me kohë të shkurtuar. Kërkesa u artikulua për Gjykatën nga ana e mbrojtësve të tyre.

Njëri pas tjetrit avokatët pretenduan se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet, duke përmendur dhe pranimin e akuzës nga të pandehurit dhe pendesën e shprehur prej tyre. Kërkesa u pranua nga përfaqësuesja e akuzës dhe më pas u miratua edhe nga trupi gjykues.

Në vijim, pasi u njoh me kërkesën për gjykim, Gjykata e shtyu seancën për një datë tjetër, ku pritet të dëgjohen konkluzionet përfundimtare të prokurorisë për çështjen. Referuar kërkesës për gjykim, tre të pandehurit akuzohen për një episod të shënuar në tetor të vitit të kaluar, në qytetin e Durrësit, dhe i dëmtuar prej tyre është kallëzuesi A.Xh.

Sipas Prokurorisë, organizatori i kësaj ngjarjeje është i pandehuri tjetër, Marim Leka, i cili kishte njohje paraprake me shtetasin A.Xh. dhe dispononte numrin e tij celular. Ai i ka kërkuar të pandehurës Oligerta B., e cila në kohën e kryerjes së veprës penale ishte e dashura e Edmond Sinës, që të komunikonte me A.Xh. dhe t’i ngrinin një kurth atij.

Sipas planit, ajo ta ftonte në shtëpinë ku banonte, të ofrohej për të kryer marrëdhënie seksuale me të dhe në atë moment ta gjente Edmond Sina dhe Marim Leka, ku njëri prej tyre do hiqej si bashkëshorti i saj.

Në këtë mënyrë ata i kanë kërkuar atij nën kërcënim një shumë prej 280 eurosh. Plani ka funksionuar, por i dëmtuari A.Xh. ka kërkuar të shkonin te shtëpia e tij për të marrë paratë. Teksa të pandehurit e prisnin në makinë, i dëmtuari ka hasur një patrullë policie, të cilëve u ka treguar çfarë i kishte ndodhur.