Me golin e shënuar në sekondat e fundit në “El Clasicon” e fundjavës, Lionel Messi i dha tre pikë Barcelonës, rihapi garën për La Ligan dhe arriti kuotën e 500 golave me fanelën e katalanasve.
Shifra është një rekord më vete, por nuk është unikale dhe Messi u është bashkuar gjashtë lojtarëve të tjerë që kanë arritur të shënojnë 500 gola me të njëjtën fanelë.Njëri prej tyre është Uwe Seeler. Ish-sulmuesi i Gjermanisë Perëndimore shënoi 507 gola për të njëjtën skuadër, Hamburgun e tij në dy dekada.
Jimmy McGrory. Konsiderohet si një prej lojtarëve më të mëdhenj të Celtic dhe jo më kot. Ai ka luajtur në vitet 1920. Mban ende rekordin e golashënuesit më të mirë britanik dhe lojtari që ka shënuar më shumë tregolësha në një ndeshje. Në total ka shënuar 522 gola për Celtic.
Josef Bican. Ka luajtur në të njëjtën epokë me McGrory. Ka ndryshuar disa klube pas luftës, por shkëlqimin do ta gjente në 11 sezone tek Slavia e Pragës, duke shënuar 534 gola. Në arenën ndërkombëtare është aktivizuar edhe me Austrinë dhe me Çekosllovakinë e asaj periudhe.
Fernando Peyroteo. Vitet 1930 prodhuan një sërë golashënuesish të mëdhenj dhe mes tyre ishte edhe portugezi në fjalë. I lindur në koloninë e Angolas në atë kohë, Peyroteo luajti për 12 sezone tek Sportingu i Lizbonës duke shënuar 544 gola, me një mesatare dy gola për ndeshje.
Gerd Muller. “Der Bomber” thjeshtë e dashuronte golin. Ishte i pandalshëm para portës dhe në gjithë karrierën e tij tek Bajerni i Mynihut arriti që të shënonte 566 gola.
Pele. Legjendari brazilian nuk luajti asnjëherë në Europë, por kjo nuk e pengoi që për Santosin e tij të shkëlqente gjithmonë duke shënuar 643 gola.