Magani: Rrezikojmë gjithçka prandaj fitojmë

858

Trajneri i bardhebluve ka deklaruar se skuadra e tij jep maksimumin në çdo ndeshje dhe rrezikon shumë për të marrë maksimumin, ndaj edhe ka marrë disa fitore radhazi. Për trajnerin, ka ende vend për përmirësime, por ai i kënaqet reagimit të ekipit, edhe kur ka luajtur me shumë mungesa të rëndësishme.

Tifozët duhet të jenë bërë me “zemër”, pasi Tirana juaj fiton gjithnjë në çastet e fundit?

magani i vogelIshte një fitore e bukur, pasi luanim përballë një kundërshtari të vendosur mirë në fushë dhe të etur për pikë. Ajo që më kënaqi ishte i karakteri i Tiranës, pavarësisht se thuhet që ne nuk organizojmë. Ne kemi bërë gjithçka për gjithçka sot. Pastaj duhet pranuar që kemi probleme për gjetjen e golit.

U duk në fakt që ekipi krijoi shumë pak. Kjo për shkak se kombinimet lojtarëve të vijës së parë çaluan?

Mund t’ia ve pak fajin terrenit, i cili në pjesën e dytë u rëndua ndjeshëm. Ndërsa për pjesën e parë ju jap të drejtë, pasi nuk krijuam. Jam kundër faktit që thuhet që Tirana fiton me fat, pasi fati është me të mirët.

Pikët i morët, por loja në fushë nuk foli për një ekip që pretendon titullin. Ku është problemi që fitoret vijnë vetëm në limit?

Çdo ndeshje ka specifikën e saj. Ajo që thoni është pjesërisht e vërtetë, por ne fund të fundit po luanim me Vllazninë, ashtu si me Flamurtarin. Rivaliteti është shumë i fortë dhe rrjedhimisht probleme ka. Ndaj unë ia vë më shumë fajin, presionit që ka skuadra.

A mund ta quajmë këtë Tiranën e minutave të fundit, pasi u bënë disa takime që ia dilni në limit?

Nuk jemi në 100% -ndëshin tonë, jo për shkak të kondicionit fizik, por është problem psikologjik. Nëse e menaxhojmë këtë problem, në vazhdim do të rritemi në lojë dhe në rezultate. Përtej pakënaqësitë, mua më duket se sot jemi të parët. Megjithatë unë jam me këmbë në tokë, dhe asnjëherë nuk kënaqem me ekipin. Kjo ishte një fitore karakteri. Jam duke luajtur me katër sulmues dhe nuk e di se çfarë mund të bëj më shumë. Po rrezikojmë për të marrë maksimumin kudo.

A sjell dis-ekuilibër kjo mënyrë loje me katër sulmues?

Skuadra reagon mirë përtej problematikave. Të gjithë presin fitore më të thellë, pasi Tirana është Tiranë, por rivaliteti ka ndryshuar, pasi tashmë skuadrat kanë investuar në merkato dhe kanë objektiva. Kam dëgjuar shumë që ka shumë të pakënaqur me golat, por rivaliteti i kohës së shkuar me aktualitetin nuk është i njëjtë. Megjithatë, unë mendoj që duhet të zhbllokojmë rezultatin më shpejt në ndeshje të tjera.

A ndikuan mungesat sot, kujtojmë Bulkun, Kërçikun apo Malajn?

Çdo lojtar ka rëndësinë e tij dhe mungesat janë të rëndësishme. Në krahasim me ndeshjen me Apoloninë, më kënaq që skuadra reagoi mirë edhe me këto mungesa. Ne jemi të ndërgjegjshëm që lufta do të jetë e fortë dhe e vështirë deri në fund.

Jeni në krye, a do jetë e lehtë ta ruani?

Nuk mund të bëj parashikime, pasi loja sjell të papritura. Ne do të bëjmë maksimumin që të qëndrojmë në krye. A ndjehet mungesa e një “playmakeri” në ekip? E kam kërkuar një lojtar të tillë “playmaker”, dhe u afrua Bakaj për këtë rol. Ai nuk e bëri këtë gjë dhe në janar afruam Sefën, i cili mund të japë pasimin e fundit.

Nesër (sot) luhet Partizani-Skënderbeu, për kë do bëni tifo?

Nuk bëj modestin, por unë bëj tifo vetëm për Tiranën. Të dyja janë skuadra që i vlerësoj maksimalisht, pa harruar as Kukësin. Janë të 3 skuadrat rivale, edhe pse në momente të caktuara kemi veçuar ndonjërën prej tyre.

Burimi: Gazeta Sporti




Këtë e pëlqejnë %d blogues: