Ministri gjerman: Kush bojkoton parlamentin largon vendin nga BE

Politika

Partia Demokratike duhet të kthehet në kuvend dhe të marrë pjesë në zgjedhje. Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, tha se Gjermania nuk e mbeshtet bojkotin e parlamentit nga opozita dhe është e pakuptueshme se përse po bllokohet reforma në drejtësi. Gabriel shtoi se nëse nevojitet më shumë garanci për zgjedhjet, gjermania është e gatshmë të sjellë më shumë vëzhgues.

Qeveria gjermane dhe kancelarja Angela Merkel nuk e mbështesin bojkotin parlamentar të opozitës dhe as kërcënimin e saj për mospjesëmarrje në zgjedhje. Këto fjalë u përcollën nëpërmjet minsitrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas takimit me kryeministrin Edi Rama. Diplomati gjerman vuri gishtin mbi deputetët e opozitës se duke bojkotuar parlamentin, po bllokojnë reformën në drejtësi dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Për të garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve, Gabriel ofroi më shumë vëzhgues nga Gjermania por debati politik duhet të bëhet në parlament.

Gabriel siguroi se Gjermania është e gatshme të ndihmojë edhe financiarisht Shqipërinë për të realizuar projektet në kuadër të procesit të Berlinit.

Gabriel: Në këto moment kur bëhet fjalë për realizimin e reformës në drejtësi apo procesin e vettingut, na shqetëson të konstatojmë që vendi është i ndarë në  dy pjesë.

Deputetët e përzgjedhur për të zhvilluar punën e tyre në parlament, bojkotojnë pikërisht parlamentin. Kjo nuk është dicka e pranueshme apo e kuptueshme nga ana jonë.

Më lejoni të ripërsëris se ky nuk është opinioni im personal por është ai i qeverisë federale, së bashku dhe i kancerales gjermane që përfaqëson CDU- CSU në Gjermani që kanë shkruar një letër përkatëse këtu në Shqipëri.

Fillimisht ne mund të apelojmë për rikthimin e opozitës në parlament. Së dyti të realizojmë procesin e vettingut.

Nëse opozita ka shqetësime për sa i takon zgjedhjeve të lira e të ndershme, ka një mundësi për t’u kujdesur për ti pasur këto zgjedhje të lira e të ndershme. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë.

Të sjellim më shumë  vëzhgues zgjedhorë, të diskutojmë më tepër si mund të formësohet financimi i fushatave elektorale, në mënyrë ligjore, por këtë duhet të diskutohet në parlament dhe jo në çadër.

Ndaj ne këshillojmë me urgjencë që ky bojkot i parlamentit të përmbyllet në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse zgjedhjet bojkotohen apo  nëse vendi, kësisoj kalon në një situatë kaotike, sigurisht për këtë nuk mund të kemi mirëkuptim dhe nuk mund t’ju ofrojmë mbështetje.

Si politikan secili prej nesh duhet të marrë përsipër të ndërmarrë vendime dhe të marrë vendime që shpesh herë duhet të kapërcejnë interesat tona personale dhe të vihen në plan të parë interesat kombëtare. Në fund duhet të vendoset për interesat e qytetarëve të vendit. Interesi kryesor i qytetarëve tuaj është vazhdimësia e rrugës drejt BE-së. Kush bojkoton parlamentin largon vendin nga BE dhe dëmton interesat e vendit të vet. Mendoj se do të ishte me rëndësi maksimale që opozita të rikthehet në parlament, reforma në drejtësi të zbatohet dhe të organizohet një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm dhe në fund të shikohet rezultati

Rama: Të mbahen larg aktorë të tretë që kërkojnë të përfitojnë nga vakumi

Rama: E falenderoj për kontributine  vazhdueshëm në mbështetje të Shqipërisë. U jemi shumë mirënjohës për kontributin e posaçëm të reformave transformuese në vend, veçanërisht asaj në drejtësi. Pata mundësinë ta informoj Ministrin për të gjithë hapat që qeveria ka ndërmarrë në përmbushje të prioriteteve për anëtarësimin në BE, po ashtu dhe sfidat që kemi duke nisur nga zbatimi i vettingut për të çliruar drejtësinë nga gjykatës dhe prokurorët e korruptuar. Folëm dhe për rajonin, dëgjuam me vëmendje vlerësimet e Ministrit pas vizitës së tij në Serbi dhe Kosovë. Rikonfirmuam vullnetin për të shkuar më tej me reformat. Për të vazhduar të qëndrojmë krah për krah Gjermanisë në sfida të përbashkëta dhe për të bërë çdo gjë që në Shqipëri dhe në Rajon të vazhdojë të afirmohet perspektiva europiane, të mbahen larg aktorë të tretë që kërkojnë të përfitojnë nga vakumi, por që në të njëjtën kohë nuk kanë lidhje me perspektivën europiane të Shqipërisë.

/Oranews.tv/