MPJ reagon ndaj deklaratës së MPJ të Greqisë për incidentin në Himarë

Aktualitet

ministri e jashteme-1ATSH- Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqiperisë ka reaguar sot ndaj deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, në lidhje me incidentin e ndodhur dje në Himarë.

“MPJ shpreh keqardhjen që Greqia fqinje kërkon të instrumentalizojë aktet e padenja të kryera dje nga disa individë në Himarë, duke synuar të përfshijë në to çështje të respektimit të të drejtave të minoritet grek në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.

Sipas MPJ, “Rasti në fjale po trajtohet nga organet kompetente shqiptare. Në këtë kontekst, reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqise përbën ndërhyrje të përsëritur në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe bie ndesh me angazhimin e Greqisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mire”.

“Është e papranueshme që, apriori dhe çdo herë, të nxiten dhe legjitimohen pretendime paternaliste mbi Himarën. Si historia ashtu dhe e tashmja, dëshmojnë qartazi se nuk ekziston kurrëfarë baze për të reklamuar Himarën si hapësirë minoritare”, thekson MPJ.

“Përpjekjet e vazhdueshme për të instrumentalizuar çdo pakënaqësi individuale ose kolektive, synojnë shtrëmbërimin e realitetit të bashkejetesës së shkëlqyer midis popullsisë shqiptare dhe minoritetit grek, i cili gëzon të drejta të plota, në baze të legjislacionit vendas, si dhe normave dhe konventave ndërkombetare”, përfundon deklarata e MPJ.