Ndodh edhe kjo…! Shqipëria vuan për maska e doreza, Majko porosit 400 qeleshe.

Aktualitet

Jetojnë në luksin dhe jashtë reaitetit. Bëhet fjalë për ministrin e Diaspores që mesa duket nuk jeton në këtë planet.

Situata e vështirë në të cilën ndodhet vendi nuk e ka ndalur aspak qeverinë që të vijojë me tenderimet. Ndonëse shëndetësia po vuan mungesën e mjeteve imediate për të përballuar Koronavirusin, ndërsa nga ana tjetër kemi mijëra biznese të mbyllura e shumë qytetarë pa punë, shpenzohen shumë para nga ministritë në vend.

Shumë prej ministrave janë fokusuar për të përballuar situatën, por i vetmi që po bën me përpikëri detyrën është padyshim ministri për Diasporën, Pandeli Majko. Ditën e sotme kjo ministri ka hapur një tender për të blerë 400 qeleshe, që do të shkojnë si dhurata për diasporën. Fondi është 206.666 lekë dhe bëhet fjalë për 100 qeleshe nga krahina e veriut, 200 nga Shqipëria e Mesme dhe 100 të tjera nga zonat e jugut.

Në këtë rast nuk ka vlerë fondi, pasi në kohë krize edhe 20 lekë janë me rëndësi për buxhetin shtetit, por vlen padyshim shprehja: “Fshati digjet, plaka krihet”. Teksa shumë familje vuajnë urie për shkak se kryefamiljarët kanë mbetur pa punë, shumë biznese po shkarkojnë punëtorët dhe kriza ekonomike sa vjen e rritet, ministritë tona gjejnë kohë dhe për të blerë qeleshe.