Në Greqi rreth 11 mijë shqiptarëve ju refuzua të kalonin kufirin

Greqi

Teksa numri i shqiptarëve që largohen nga vendi sa vjen e rritet, ka dhe nga ata që iu është ndaluar dalja jashtë shtetit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Instituti Evropian i Statistikave, janë të paktën 23.400 shtetas shqiptarë të cilëve iu ndalua kalimi i kufirit për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit të kaluar. Sipas Eurostat, shteti ku pati më shumë refuzime ishte Greqia, nga kufiri tokësor i së cilës u kthyen mbrapsht rreth 11 mijë shqiptarë.

Pas Greqisë, kufijtë tjetër me refuzimet më të mëdha ishin Kroacia dhe Hungaria me respektivisht 2670 dhe 2345 ndalim kalimi.

Arsyet shpjegohen se këto dy shtete janë pika të rëndësishme kalimi drejt vendeve të zhvilluara të BE-së. Pas tyre, Mbretëria e Bashkuar renditet me 1455 refuzime për kalim dhe Franca me 1450 refuzime. Ndërsa Gjermania numëron vetëm 615 refuzime për kalim.