NË VITIN QË PO MË IKËN – SHOQJA E ËNDRRAVE TË MIA!

Kulture Letersi

Në vitin që po më ikën

njoha çaste nga këngët e rinisë
dhe stina e moshës.
Në perëndim të diellit
shkrova një ëndërr të pa përfunduar,
njoha njerëz që pikturojnë thinjat e detit,
fjalën e qëmtuar plot gjak.

Nuk i shita lotët veç i fala për mikeshat e mia,
s’u lodha duke parë shiun
se si ngazëllente e copëtoheshin erërat
përnatë mbi shtratin e lumit.

Të shtunave takohesha me pyllin
në mbrëmjet e vallëzimit,
të etur për hapësirë dhe zemër mike
goxha trimëresha, që shpesh i humba!

Tani, si një metoforë jetoj në ballkonin e kujtesës,
nga pesha e puthjeve nuk di ku të shlodhem,
si i lindur në ditë vere
gjithë dhimbjet i lash të treten
në barkun e Vitit të vjetër…

SHOQJA E ËNDRRAVE TË MIA!

Tani që yjet plaken kujtesa
më ndihmon të kem pranë pshertimën
e heshtur të asaj dashurie
vajzën ngjyrë pranvere, fytyrën e ëndrrave të mia.

Zemrat tona aq të kthjellta
nuk dinin të kërkonin, me sy e afronim ëndrrën
me lojra emocionesh i kalonim në mendje
buzëqeshjet e etura në mbrëmjet e vallzimit.

Madheshtia e asaj vajze zgjatej në çdo zgjim,
të vërtetat e ëndrrave i lexonte
dita e nesërme …
Habiteshim me ëndrrat e padukshme,
shtegtuan nëpër rrugët e erërave!
Ndoshta …
Kurrë s’do të vinin!

Arqile Vasil Gjata