TY TË ZGJODHA

Kulture Letersi

Në mes të tjerave, ty të zgjodha,
Dhe arsyen, vetëm ty ta thashë,
Qe një rast, kur vështrimin hodha,
Dhe rastin të më ikte, nuk e lashë.

Mund të kërkoja kudo, në çdo anë,
Por s’mund të gjeja një si ty kurrë,
Një si ty, që ta kisha përherë pranë,
Dhe ti të më kishe, të vetminë burrë.

Por nuk është syri në ball vetëm,
Që bukurinë ta shikoj dhe ta gjej,
Sepse duhet të shpërthej patjetër,
Që edhe shpirti në thellësi ta ndjej.

Dhe ndjenja për ty s’më ka munguar,
Se është si një burim, që nuk shter,
Dhe ky burim vjen përherë i kulluar,
Ashtu më vjen malli për ty e më merr.

Një tjetër dhe mund të kisha zgjedhur,
Dhe pastaj të thosha;-paskam gabuar,
Çdo natë, do rrija kruspull i mbledhur,
Por, më tjetër, s’do e kisha tradhëtuar,

Kur faqen e mbështes tek flokët e tua,
Dëshirës që të prek si përmbahem dot,
Ndërsa ti e kupton, sikur vetë më thua,
-Hë pra, dehu tani, se e ke gotën plot.

Dhe s’më ke lenë, në dyshim të rrija,
Me krahët e tua, përqafuar më mban,
Eh, sa e ëmbël, qënka kjo dashuria,
Që se shohin, por e ndjejmë pranë.

Por edhe unë, prandaj ty të zgjodha,
Se ishje lule, mbi të gjitha lulet e tjera,
Si bleta nektar nëpër lule nuk mblodha,
Se aromën tënde, ma solli pranvera.

Petro Sota 12 qershor 2023