Organizata Botërore Meteorologjike : Franca dhe Britania po përgatiten për vapë ekstreme

Bota

Pas Spanjës dhe Portugalisë, të cilat tashmë janë goditur nga nxehtësia prej ditësh, Britania dhe Franca – ku janë djegur 10 mijë hektarë pyje – po përgatiten të përballen me një valë të dytë të temperaturave ekstreme në më pak se një muaj.

Rritja e këtyre fenomeneve vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike, sipas shkencëtarëve, pasi gazrat që shkaktojnë efektin serë rrisin intensitetin, kohëzgjatjen dhe frekuencën e tyre.

Vala e të nxehtit që është vendosur në Evropën Perëndimore “po prek kryesisht Spanjën dhe Portugalinë, por pritet të intensifikohet dhe përhapet”, tha nga Gjeneva Claire Noulis, zëdhënëse e Organizatës Botërore Meteorologjike.

Ajo paralajmëroi se situata ishte kritike “për shkak të tokës shumë të thatë” dhe ndikimit të temperaturave në akullnajat në Alpe: “Është një sezon shumë i keq për akullnajat,” theksoi ajo, pak më shumë se një javë pas rënies në Italia vëllim i madh i akullnajës Marmolanda, i cili shkaktoi vdekjen e njëmbëdhjetë njerëzve.

Në Francë, dy zjarre kishin djegur 10 mijë hektarë pyje në zonën e Bordosë deri në mëngjesin e djeshëm të së martës.

Vala e temperaturave ekstreme pritet të zgjasë në Francë të paktën deri në fillim të javës së ardhshme. Mërkuri sot do të arrijë në 31 deri në 36 gradë Celsius dhe vende-vende në jugperëndim 37 me 38.

Vala e të nxehtit pritet të përhapet më pas në vendet e tjera të Evropës Perëndimore dhe Qendrore.

Në Britani, Met Office ka lëshuar një alarm portokalli për një valë “të nxehti ekstreme” nga e diela, me temperatura që mund të kalojnë 35 gradë Celsius.

Në fund të fundit, kompanitë e ujit u kanë kërkuar britanikëve që të kursejnë çdo pikë uji, duke i këshilluar ndër të tjera të ziejnë saktësisht sasinë e ujit që u nevojitet për të bërë çajin e tyre. Me termometrin mbi 40 gradë Celsius, Spanja dhe Portugalia janë ende të mbytura. Për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, zjarret që shpërthyen në Portugalinë qendrore gjatë fundjavës u intensifikuan të martën, duke shkaktuar evakuimin e shumë fshatrave. Më shumë se 1000 zjarrfikës janë përfshirë në betejën me flakët.

Rreziku i zjarrit bëri që autoritetet të mbyllnin Parkun Natyror Sintra, në perëndim të Lisbonës, pasi temperatura arriti në 43.1 gradë në Portugalinë qendrore.

Parashikimet meteorologjike për ditët e ardhshme mbeten veçanërisht shqetësuese për sa i përket rrezikut të zjarreve”, tha dje kryeministri portugez Antonio Costa. Në Spanjë temperaturat kaluan sërish 40 gradë Celsius në pjesën më të madhe të pjesës perëndimore të vendit. Piku i fenomenit pritet të enjten nesër. Të favorizuar nga temperaturat ekstreme, shumë zjarre po shpërthejnë në vend, njëri prej të cilëve ka djegur tashmë 25 mijë hektarë bimësi në Extremadura. Sipas qeverisë spanjolle, nga 1 janari deri më 3 korrik, në vend janë djegur 703.540 hektarë pyje, pothuajse dyfishi i numrit krahasuar me mesataren e dhjetë viteve të mëparshme.