Azem PARLLAKU / “Ne të gjithë shohim komunitetin tonë të kombeve nën rrezikun e fronteve të ndryshme, ndërsa harku i paqëndrueshmërisë ndërtohet në periferi të NATO-s” tha nga Mynihu James Mattis, Sekretari i ri amerikan i Mbrojtjes në administratën Trump.
Këtë paralajmërim Mattis e bëri në konferencën e 53-të të Sigurisë, përballë 47 ministrave të Jashtëm, përfshirë ministrin e Jashtëm rus Lavrov, atë britanik Boris Johnson, si dhe ministrave të Mbrojtjes nga 30 shtete.
Ndërsa paralajmëroi ekzistencën e harkut të paqëdrueshmërisë në kufijtë periferikë të Europës, Mattis përsëriti kërkesën nga aleatët tjerë të NATO-s, që të rrisin shpenzimet për mbrojtje në 2% të GDP-së. Më herët, Presidenti Donald Trump, parimin e “ndarjes së barrës” dhe specifikisht këtë shifër (2%) i ka artikuluar si standarde detyruese për vendet anëtare të NATO-s.
Debati aktual po kthehet në një provë nëse është ende i mundur dialogu strategjik serioz brenda Aleancës, apo nëse ai do të fundoset nga politikat e brendshme. Termat “aleancë” dhe “siguri kolektive” shpeshherë përdoren në vend të njëri-tjetrit, dy konceptet janë, në fakt të papajtueshëm me njëri-tjetrin.
NATO si instrument i sigurisë kolektive, sot është shndërruar në një mini-Kombe të Bashkuara. Është krijuar Këshilli i Atlantikut të Veriut; Këshilli i Përhershëm i Përbashkët që përfshin Këshillin e Atlantikut të Veriut plus Rusinë; Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik, që ka mbledhur vendet e NATO-s dhe vende të ish-bllokut Lindor; Partneriteti për Paqe, në të cilin vendet e Europës Lindore duke përfshirë dhe Rusinë, janë të ftuara të përfshihen në trajnime të përbashkëta për misione shumëkombëshe të paspecifikuara. Takimet vjetore të shefave të shteteve të NATO-s, tani ndiqen nga më shumë se pesëdhjetë drejtues të grupimeve të ndryshme.
Kur u krijua Aleanca, elementi i saj unifikuese ishte një politikë e përbashkët ndaj Bashkimit Sovjetik. Sot aleatët kryesorë në të dyja anët e Atlantikut, kërkojnë të përcaktojnë për veten e tyre “mardhëniet speciale” me Moskën. Ndërsa përpjekjet e tyre nuk janë të drejtuara domosdoshmërisht ndaj njëri-tjetrit, ata nuk preokupohen në mënyrë të veçantë as për pikpamjet e aleatëve të tyre. Ajo që ata kërkojnë është të lartësojnë alternativat e tyre në njëfarë mase si një politikë sigurimi kundër njëri-tjetrit duke fituar miratimin e Moskës. Ajo që aprovohet si një politikë e përbashkët e Aleancës ndaj Rusisë, është shpesh një interpretim sentimental i personalitetit të udhëheqësit aktual rus Putin, duke e lënë të lirë çdo aleat, që t’a përshtasi politikën kombëtare me kriteret psikologjike që ai zgjedh për të përpunuar për vetveten.
Këte fundjavë të gjithë janë të fokusuar tek pozicionimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe qeveria e re. Mattis tha, se presidenti Trump ofron përkrahje të fuqishme për NATO-n, duke shuar shqetësimet e aleatëve për deklaratat e Trump ndaj aleancës transatlantike gjatë fushatës presidenciale, duke e quajtur atë “të vjetëruar”.
Qëndrimet e ndryshme si në çështjen e Ukrainës pritet të jetë pjesë e konferencës.Lindja e Mesme është një rajon, ku ka pasur ndryshime të mëdha nga konferenca e fundit. Orientimi strategjik i Lindjes së Mesme ka ndryshuar, së paku për momentin, Rusia ka një rol më të rëndësishëm se më parë, edhe Turqia dhe Irani po ashtu.
Ekipi i Presidentit Trump në Mynih më mirë se kushdo e di se, Amerika është në majë të botës. Një Amerikë, fitorja ushtarake e së cilës në luftën e parë të Gjirit, i shkoi dëm nga pikëpamja politike, mbasi paqja në Lindjen e Mesme nuk u arrit, ç’ka çoi në rritjen e armiqësisë islamike ndaj Shteteve të Bashkuara. Amerika, që njeh mirë rolin e Rusisë, e cila përdor rezervat e gazit dhe naftës si superfuqi e fushës energjitike. Amerika, e papajtueshme dhe kritike e autoritarizmave të tipit Putin, Erdogan, etj. Amerika, kur India dhe Pakistani sfidojnë opinionin publik botëror dhe bëhen fuqi bërthamore, kur Koreja e Veriut dhe Irani, intensifikojnë përpjekjet për të arritur kapacitetin e përdorimit bërthamor. Amerika, e shënjestruar nga e keqja e ditëve tona, terrorizmi. Amerika, e cila ka investuar shumë dhe ka parë, sesi Komuniteti Atlantik, u ça në luftërat në Irak dhe Lindjen e Mesme, ashtu sikurse e ka të qartë që, Bashkimi Europian nuk po arrin që, të zhvillojë një identitet të vetin politik.
Ekipi i Presidentit Trump e di që kryesysht, Rusia, Turqia, Irani, po tentojnë të influencojnë në “zgjidhjen” e problemeve në Siri, aty ku dhe lufta është e ashpër. Një Azi “armiqësore” dhe një Europë e paqëndruar në vetvete momentalisht janë evidente. Amerika ka nevojë për ndihmën europiane, për të formuluar politikat globale, gjithashtu Europa, ka ende nevojë më shumë se Amerika për një aleancë të tillë, përndryshe do të vijojë të rrezikojë, të rrëshqasë në fenomene të nacionalizmit që i referohen vetëm realitetit të vet, të cilat do të shtonin ngjarjet pa pasur një mision global më të gjerë. Ngurimi i Europës për t’a përfshirë Ukrainën në gjirin e saj, nxiti ambiciet imperialiste të Rusisë, teksa Turqia gjithnjë e më tepër po “viktimizohet” prej terrorit, ç’ka mund të sjellë rrëshqitjen e saj drejt Lindjes së Mesme të paqetë.
Realitetet e reja politike globale, po dëshmojnë se po shkojnë në drejtim të një rënie të dominimit tradicional të Perëndimit, e në këtë kuptim, aleatëtëve u duhet të fokusohen në elementët e frenimit të rreziqeve dhe mbrojtjen (Deterrence and Defense), veçanërisht duke trajtuar situatën komplekse në kufijtë jugorë të NATO-s, pa lënë pas dore dhe burimet e mbrojtjes dhe zhvillimin e kapaciteteve që i nevojiten Aleancës në mjedisin e krijuar të sigurisë.
Në një analizë më konkrete nuk është e vështirë të konstatohet se aktualisht në nivelin euro-atlantik ekzistojnë rreziqe të cilat në mënyrë të shkëputur apo në bashkëveprim me njëri-tjetrin mund të minojnë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të garantuar një mjedis sa më të qetë dhe të sigurtë. Këto rreziqe mund te klasifikohen si rreziqe të natyrës strukturore të brendshme kryesisht të Unionit Europian, e si dhe si rreziqe të jashtme të natyrës gjeopolitike.
Që nga themelimi i saj më 1963 nën emrin “Internationale Wehrkunde-Begegnung”, Konferenca e Sigurisë në Mynih ka qenë një forum i pavarur që i kushtohet promovimit të zgjidhjeve paqësore të konflikteve, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut. E në këtë frymë agjenda e kësaj konference në këtë vit përqendrohet në të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike dhe NATO-s pas ardhjes së krye të SHBA-së, të Donald Trump, në gjendjen e bashkëpunimit evropian për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, në marrëdhëniet me Rusinë dhe luftën në Siri, në gjendjen e sigurisë në Azi-Paqësor dhe në luftën kundër terrorizmit. Konferenca e Sigurisë në Mynih është shndërruar në një tubim të rëndësishëm për komunitetin strategjik ndërkombëtar, e sigurisht aty ku sot është edhe një delegacion i madh i Kongresit amerikan, konfirmon më së miri se, aleanca euro-atlantike pa Amerikën është një çorbë shumëkombëshe.