“Pasaportat e arta” rrezik për sigurinë dhe pastrimin e parave/ KE shenjon me rreth të kuq Shqipërinë…

Aktualitet

Komisioni Evropian propozoi të mërkurën një pezullimin e udhëtimit pa viza me arkipelagun e Paqësorit të Vanuatu për shkak të skemës së tij, që ofron pasaporta për të huajt e pasur, njofton Reuters.

Por, me bllokim të vizave paralajmërohet edhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Moldavia në rast se do të aplikojnë të njëjtën skemë në vendet e tyre, siç e kanë pasur në plan, dhe thuhet se shtetet po mbahen në monitorim.

Sipas Reuters, në rastin e Vanuatu, “nëse propozimi mbështetet nga shtetet e BE-së, do të ishte hera e parë që BE vendos sanksione ndaj një vendi që aplikon skema të “pasaportës së artë”, të cilat Komisioni ka paralajmëruar vazhdimisht se mund të paraqesin rreziqe sigurie dhe pastrim parash. Vende të tjera, duke përfshirë shtetet e Evropës Lindore janë monitoruar”. 

“Komisioni ka arritur në përfundimin se skemat e shtetësisë së investitorëve të Vanuatu-s paraqesin mangësi serioze dhe mungesë sigurie”, thuhet në një deklaratë.

Sipas skemës, të huajt mund të marrin nënshtetësinë dhe pasaportën e Vanuatu-s në këmbim të një investimi minimal prej 130,000 dollarësh. Kjo nga ana tjetër u jep atyre akses pa viza në BE, sipas një marrëveshjeje për heqjen e vizave që vendi ka me bllokun 27-vendesh.

Komisioni ka propozuar pezullimin e udhëtimit pa viza për të gjithë mbajtësit e pasaportave të Vanuatu-s të lëshuara që nga maji 2015 kur programi i investitorëve filloi të funksionojë seriozisht në vend. Moratoriumi do të hiqet nëse programi rregullohet siç duhet.

Ekzekutivi i BE-së tha se skema u konsiderua e rrezikshme sepse në thelb pranonte të gjithë aplikantët dhe nuk i kontrollonte mjaftueshëm ata, pavarësisht se disa shfaqeshin në bazat e të dhënave të sigurisë së Interpolit.

Ambasada e Vanuatu në Bruksel nuk ishte menjëherë e disponueshme për koment.

Komisioni tha se po monitoronte vendet me akses pa viza në BE, të cilat po funksionojnë efektivisht ose po planifikojnë të krijojnë skema shtetësie për investitorët, duke përfshirë ishujt e Karaibeve dhe Paqësorit por dhe shtetet e Evropës Lindore, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Moldavinë.

Shumica e shteteve të BE-së kanë skemat e tyre që ofrojnë pasaporta ose viza për të huajt e pasur, por Komisioni i konsideron shumicën prej tyre në përputhje me rregullat e BE-së, me përjashtim të programeve të krijuara nga Qiproja dhe Malta.

Të dy shtetet po përballen me sfida ligjore nga Brukseli, të cilat u kërkojnë atyre të ndryshojnë programet ose të ndalojnë ekzekutimin e tyre për të shmangur rrezikun e gjobës.”