Policia e Shtetit – Nesër zgjedhjet, 5851 punonjës policie për ruajtjen e materialeve zgjedhore

1301

Qendrat e Votimit dhe KZAZ mbrëmjen e sotem (24 qershor) janë marrë në ruajtje nga policia e shtetit.

Punonjësit e policisë janë paraqitur sipas detyrës së përcaktuar duke marrë në ruajtje 5 362 Qendra Votimi dhe 90 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit, Policia e Shtetit ka angazhuar  5851 punonjës policie. Ndërkohë  nga KZAZ-të  nuk ka përfunduar  ende  shpërndarja  e plotë e materialeve zgjedhore për në VNV.

“Ruajtja e Objekteve Zgjedhore do të vazhdojë deri në orën 07:00 të datës 25.06.2017 kur pranë tyre do të fillojnë normalisht punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor”, sqaron policia.

Detyra e Policisë së Shtetit:

Ruajtjen e Qendrave të Votimit, proces i cili do të vijojë deri në momentin kur KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit.

Në menaxhimin e situatave apo të dhënies ndihmë për  rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Qendrat e Votimit, në rastet e kërkesës së ligjshme të Komisioneve të Qendrave të Votimit.

Shoqërimin e materialeve të votimit nga Qendrat e Votimit për në Vendet e Numërimit të Votave.

Marrjen në ruajtje dhe sigurimin e Vendeve të Numërimit të Votave.

Kryerjen e veprimeve procedurale për të gjithë ngjarjet / incidentet që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor, duke bashkëpunuar me prokuroritë e rretheve gjyqësore.

Dhënien e ndihmës për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Vendet e Numërimit të Votave, në rastet e kërkesës së ligjshme të KZAZ-ve.

Shoqërimin e materialeve zgjedhore nga Vendet e Numërimit të Votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në përfundim të procesit zgjedhor.

Si dhe garantimin e rendit publik në të gjithë territorin e vendit.

Situata paraqitet e qetë

Polica thotë se në të gjithë vendin aktualisht situata përsa i përket rendit dhe sigurisë publike paraqitet e qetë.

Policia e Shtetit, krahas angazhimit maksimal për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në aktet normative në kuadër të procesit zgjedhor, është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor.

/Oranews.tv/




Këtë e pëlqejnë %d blogues: