(Pjesë nga fjalimi i Koço Kokëdhima, kreu i Lëvizjes ZGJIDHJA drejtuar socialisteve të qytetit të Durrësit…)
Ironia qëndron në faktin se, në krye të luftës për zgjedhje të lira e të ndershme janë vënë Sali Berisha dhe Lulëzim Basha. Ata sot ndihen të kërcënuar nga një sistem zgjedhor i ndërtuar nga vetë Berisha dhe Rama. Kodi zgjedhor që kemi në fuqi është pikërisht ai që la Berisha përpara 3 vitesh e gjysëm. Lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës edhe për faktin se gjatë këtij mandati nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i pastruar zgjedhjet e qershorit dhe për ta shëruar përfundimisht këtë kancer që nuk e lejon Shqipërinë që të ngrejë kokë.
Një lider i përgjegjshëm ka detyrimin që ta ndihmojë popullin të përparojë. Vendimtare dhe jetike për këtë është instalimi përfundimtar i zgjedhjeve të ndershme. Ideja se po bëjmë shtet shndërohet në demagogji në se përpjekjet për ngritjen e shtetit të së drejtës nuk bazohen mbi një sistem të sigurtë të zgjedhjeve të lira. Bërja e shtetit ligjor fillon nga reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore që garanton zgjedhje të paqortueshme, është mëma e të gjitha reformave. Zgjedhjet me standarde nuk janë përfitim për opozitën, por fitore e padiskutueshme për popullin dhe për Shqipërinë.
Ne nuk e paragjykojmë aksionin e opozitës për aq kohë sa protesta e saj mbetet paqësore. Unë jam i bindur se në manifestimin e 18 shkurtit ishin shumë qytetarë që nuk kërkojnë thjesht që të ikë Rama e të vijë Basha, as thjesht të ikë një palë e të vijë një palë tjetër. Protesta e atyre mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë duhet të lexohet me shumë kujdes. Një pjesë e madhe e tyre ndihen të zhgënjyer nga keqqeverisja, vuajtjet dhe mungesa e shpresës.