Një charter me 30 shtetas shqiptarë të cilët kishin kërkuar azil politik në Francë mbërriti të mërkurën rreth orës 15:30, në aeroportin e Rinasit.
Ky është avioni i tretë, ndërsa një tjetër pritet të mbërrijë brenda pak ditësh, çka dëshmon se bashkëpunimi me Francën për kthimin e tyre është në një fazë të re.
Zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda, e shoqëruar nga Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Aida Hajna, përcolli mesazhe të qarta për të gjithë ata shtetas që tentojnë për të udhëtuar drejt Francës apo vende të tjera të BE-së, me qëllim kërkimin e azilit politik.
Ajo tha se shanset për azil në vendet e BE-së janë zero, pasi Shqipëria është vend i sigurt. “Jemi përsëri në Rinas, këtu në një operacion tjetër të riatdhesimit të azilkërkuesve shqiptarë të kthyer nga shteti francez nëpërmjet një charteri. Jemi këtu për të dhënë një mesazh të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për t’u thënë se shanset për azil në vendet e BE janë zero. Tashmë prej 3 vitesh Shqipëria është në listën e vendeve të origjinës së sigurt, pra një vend i sigurt. Ndaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Shqipërisë të jenë ndërgjegjshëm që sigurisht lëvizja e lirë nuk do t’u cënohet. Patjetër që ata kanë të drejtë brenda kufijve të zonës Schengen të lëvizin, kanë lirinë e tyre, por duhet të respektojnë patjetër edhe rregullat e kësaj lëvizjeje. Mendoj se ky mesazh duhet të jetë i qartë për të gjithë”, deklaroi Voda.
Ajo theksoi se në kuadër të kësaj edhe Policia e Shtetit ka marrë një plan masash, ka nxjerrë disa urdhra për të monitoruar lëvizjet e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve shqiptarë në kufijtë e Republikës së Shqipërisë, por nevojitet që edhe vetë qytetarët të ndërgjegjësohen që lëvizja e tyre duhet të jetë në përputhje me rregullat e lëvizjes së lirë në vendet e BE.
“Ua kërkojmë, ua çojmë këtë mesazh ndërgjegjësimi të gjithë shtetasve shqiptarë për të mos rrezikuar atë që ne arritëm me shumë mund, lëvizjen tonë të lirë brenda kufijve të BE-së. Urdhri i nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka të bëjë me forcimin e masave të kontrollit kufitar”, tha Voda.
Zv.ministrja u shpreh se të gjithë ata shtetas që pretendojnë një shkollim më të mirë, që duan të gjejnë punë, kanë të gjitha mundësitë ligjore, rrugët ligjore për të kërkuar diçka të tillë në vendet e BE-së./m.m/