Shqipëri-Izrael, terrori në tentativë

Opinion

azemi profilAzem Parllaku  /  Vlerësuar si një e keqe e kohës sonë, terrorizmi po dëshmon se, asnjë prej nesh nuk ka imunitet ndaj tij. Ngjarjet e ndodhura herë pas here të cilat shoqërohen me humbje të jetëve njerëzore, dëshmojnë se: terrorizmi prek të gjitha shtetet, të mëdha dhe të vogla, të pasura apo të varfra qofshin ato. Ai vepron ndaj personave të çdo moshe, mbi pasurinë, kulturën dhe fenë e vërtetë.

Ajo çfarë u raportua së fundmi në pragndeshjen e futbollit midis përfaqësueseve të Shqipërisë dhe Izraelit, qartësisht dëshmon se Shqipëria është në fokusin e shënjestrës së terrorizmit.

Burimet thanë se nga materialet e Shërbimit Informativ Shtetëror, i ndihmuar edhe nga agjencitë e huaja të spiunazhit, kanë referuar informacione se 4 të arrestuarit në Shqipëri, në bashkëpunim me 7 personat e arrestuar në Kosovë dhe disa të tjerë në Maqedoni, po planifikonin një sulm me shpërthim jashtë stadiumit “Loro Boriçi” dhe më pas me armë zjarri, gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael. Katër të dyshuarit në Shqipëri po hetohen për akuzën e “akteve terroriste” të mbetur në tentativë, pasi janë krijuar dyshime të arsyeshme se kanë bërë disa veprime konkrete për të finalizuar sulmin me eksploziv dhe më pas me armë. Këtë sulm, grupi hetimor thotë se e kanë koordinuar edhe me disa shtetas të tjerë, të cilët gjithashtu janë nën hetim në Kosovë dhe Maqedoni. Sipas burimeve të organit të akuzës, vëzhgimi disaditor në Shkodër konfirmoi informacionin e ardhur nga jashtë duke sjellë kështu edhe arrestimin e katër personave të dyshuar. Ata ishin të skeduar edhe më parë për aktivitetin e tyre, pasi ishin filmuar teksa merrnin pjesë në procesin gjyqësor ndaj grupit të 9 xhihadistëve të akuzuar për rekrutimet në Siri.

Ndërsa priten të zbardhen hetimet, me të drejtë lind pyetja; A është Shqipëria objekt i sulmeve terroriste dhe përse?!

Po të kihen parasysh ideologjia dhe synimet e terrorizmit, vendi ynë nuk kërcënohet vetëm në sensin e luftës globale që bëjnë terroristët, por dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shqipëria, ashtu sikurse çdo vend tjetër nuk është e shmangur nga rreziku i goditjes dhe ajo mund të vijë në çdo kohë. Arsyet e goditjes së vendit tonë nga terrorizmi, janë nga më të ndryshmet, më kryesisht ato kanë të bëjnë me disa nga faktet e shtruara si më poshtë;

Shqipëria nëpërmjet politikës së Jashtme dhe nëpërmjet Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, është e angazhuar drejtpërdrejtë në luftën kundër terrorizmit global. Vendi ynë ka përkrahur politikat e Kombeve të Bashkuara për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Lindjen e Mesme, e në këtë kuadër kontribon me trupa ushtarake në mbështjtjen e paqes në Irak dhe Afganistan. Synimet e terrorizmit fondamentalist si ai i luftës për krijimin e shtetit të përbotshëm fetar, lufta kundër amerikanëve, izrealitëve dhe përkrahësve të tyre, e shënjestrojnë Shqipërinë si vend të goditjes. Në këtë pikshikim “celula terroriste” një akt të tillë mund t’a ndërmerrte e nxitur nga prania e sportistëve hebrenj në Shqipëri, si një hakmarrje e terroristëve islamikë ndaj shtetit të Izraelit.

shqiperi-izrael

Të gjitha besimet më të mëdha të botës, induizmi, krishtërimi, judaizmi dhe islamizmi, kanë  lindur në të njëjtin rajon të Lindjes së Mesme e të Afërt. Qëllimi i këtyre besimeve nuk ka pse të jetë, ai i burgosjes së mendjes dhe i shtypjes së emocioneve nëpërmjet frikës dhe ndjenjës së fajit. Në mënyrë të pabesueshme në harkun e dhjetvjeçarëve të fundit, miliona njerëz kanë rënë e po bien në grackën e shtypjes emocionale dhe burgut mendor.

Në këtë kontekst, fatkeqësisht, krahas misionarëve të paqes, në Lindje të Mesme, ka plot shqiptarë që janë rreshtuar në falangat terroriste, kryesisht në Siri. Nëse hetimet nxjerrin në dritë lidhjen e “celulës terroriste” me ekstremistët e Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut, është tejmase shqetësuese, mbasi të akuzuarit janë shqiptarë, ndryshe sa ka ndodhur t’a zëmë në Francë, ku misionarët e terrorit, kanë qenë të huaj. Në Shqipëri janë miratuar akte ligjore dhe nënligjore e në vazhdimësi promovohen masa, të cilat kanë si qëllim të ndalojnë veprimtarinë e elementëve radikalë dhe strukturave që mbështesin terrorizmin. Vetë fakti që të akuzuarit janë filmuar teksa merrnin pjesë në proçesin gjyqësor ndaj grupit të 9 xhihadistëve të akuzuar për rekrutimet në Siri, nuk lë vend për koment.

Bashkëjetesa fetare ndërmjet shqiptarëve, zhvillimi i besimeve fetare në mënyre paqësore, duke respektuar traditën dhe kulturën e tyre shekullore, janë një fakt i papranueshëm për radikalët islamikë dhe mbështetësit e tyre. A nuk është Shkodra një prej qendrave tipike ku kjo bashkëjetesë nuk është vënë asnjëherë në dyshim, përkundër e ka rrezatuar këtë harmoni për t’u marrë si shembull në të gjithë hapsirën shqipfolëse.

Lidhjet ndërkombëtare të grupeve të ndryshme terroriste, u japin atyre mundësinë e bashkëveprimit në rajone e shtete të ndryshme, e në këtë kontekst pavarësisht se të akuzuarit janë të gjithë shqiptarë, hetimet për ata zhvillohen në tre shtete të cilat, nuk i kanë të sintonuara qasjet e luftës ndaj terrorizmit.

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po punon për të plotësuar detyrimet për t’u anëtarësuar në BE dhe ky është një fakt tjetër i papëlqyeshëm për terroristët. Zhvillimi i ulët ekonomik, korrupsioni, mungesa e kontrollit të plotë të kufijve, mund të shfrytëzohen nga terroristët kryesisht ato ndërkombëtarë, të cilët e çmojnë bashkëpunimin me rrjetet e brendshme kriminale, me qëllimin e krijimit të bazave të strehimit për veprimet e tyre. Shkaqet e terrorizmit janë politike, për destabilizimin e një shoqërie por edhe për hakmarrje. Këto qëllime kanë çuar në themelimin e organizatave të ndryshme të cilat më pas nëpërmjet mesazheve të tyre me karakter politik ose fetar ngjallin frikë dhe panik në radhët e popullsisë.

Shumë nga idetë politike të instrumentalizuara nga organizata terroriste për të justifikuar veprimet e tyre, e bëjnë këtë të keqe bashkëshoqëruese të çdo ideologjie, e fatkeqësisht të pranishme tashmë dhe në hapsirën shqiptare.