Shqipëria po tretet, shtesa natyrore e popullsisë ra me 69.9% në tremujorin e dytë

Aktualitet

Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2018 pasqyron një rënie me 69,9%, në krahasim me tremujorin e dytë 2017, raportoi sot INSTAT, një e dhënë dramatike për tranzicionin e thellë demografik ku është përfshirë vendi.

Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2018 rezulton 5.592, duke shënuar një rënie prej 25,3%, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2018 rezulton 4.823, duke shënuar një rënie prej 2,2%, krahasuar me tremujorin e dytë 2017.

Gjatë tremujorit të dytë 2018, numri i lindjeve tejkaloi me 769 numrin e vdekjeve. Në tremujorin e dytë 2018, shtesa natyrore e popullsisë për 12 qarqet e Shqipërisë, shënon vlerën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 763 numrin e vdekjeve.

Në tremujorin e dytë 2018, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në pesë qarqe. Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Vlorës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 164 numrin e lindjeve.

Lindjet, rënie me 25.3%

Numri i lindjeve, për tremujorin e dytë, 2018 rezulton 5.592, duke shënuar një rënie prej 25,3%, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Numri më i ulët i lindjeve, për tremujorin e dytë 2018, regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, 87 lindje, me një rënie prej 22,3%, në krahasim me tremujorin e dytë 2017.

Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës me 1.851 lindje, të cilat shënojnë rënie me 22,2% në krahasim me tremujorin e dytë 2017. Të gjitha qarqet pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2018, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve gjatë kësaj periudhe e shënon Qarku i Beratit me 36,5 % dhe Qarku i Vlorës me 33,6 %.

Vdekjet, rënie me 2.2%

Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2018 rezulton 4.823, duke shënuar një rënie prej 2,2 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Numri më i lartë i vdekjeve për tremujorin e dytë 2018 regjistrohet në Qarkun e Tiranës, me 1.088 vdekje, me një rënie prej 3,3 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017.

Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 124 vdekje, me një rënie prej 5,3 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017. Gjatë tremujorit të dytë 2018, vetëm tre qarqe pësuan rritje, ndërsa tetë qarqe pësuan rënie të numrit të vdekjeve, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Rënien më të madhe të numrit të vdekjeve gjatë kësaj periudhe e shënon Qarku i Gjirokastrës me 19,9 %.