Ka shqiptarë që jetojnë në Greqi prej 20 – 30, madje edhe 40 vitesh. Kanë punuar gjithë jetën këtu. Kanë rritur fëmijë këtu. Kanë qarë, kanë qeshur, janë lodhur, janë plakur në këtë vend. Por shpesh nuk më largohet nga mendja: A e njohim Ne vërtet vendin ku jetojmë?
Jo vetëm rrugët. Jo vetëm punën. Jo vetëm supermarketin, dokumentat dhe faturat. Po kulturën?
Po artin? Po historinë? Po teatrin, muzikën, letërsinë, muzetë, mendimin, zhvillimin e këtij vendi?
Ndonjëherë kam ndjesinë që shumë prej nesh jetojnë fizikisht në Greqi, por mendërisht vazhdojnë të jetojnë vetëm në Shqipëri.
Mbaron puna. Kthehemi në shtëpi. Hapim televizorin shqiptar. Ndjekim lajmet shqiptare. Parlamentin shqiptar. Debatet shqiptare. Hallet shqiptare. Dhe pa e kuptuar, kalojnë vite… dhe ne vazhdojmë të dimë shumë pak për vendin ku jetojmë çdo ditë.
Nuk e them këtë si kritikë. E them si shqetësim, ndoshta kjo është diçka që e kemi marrë me vete nga vitet e emigracionit, nga frika për të mos humbur identitetin, nga mallin për vendin tonë. Por integrimi nuk do të thotë të harrosh kush je. Përkundrazi. Sa më shumë njohim kulturën e vendit ku jetojmë, aq më shumë kuptojmë edhe vlerën e kulturës sonë. Sa më shumë afrohemi me artin dhe historinë greke, aq më dinjitoz bëhet edhe identiteti ynë shqiptar në Europë. Nuk mund të kërkojmë që Europa të njohë historinë tonë, nëse ne vetë nuk bëhemi pjesë aktive e kulturës europiane ku jetojmë. Nuk mjafton vetëm të jetosh në Europë. Duhet ta kuptosh atë. Duhet ta prekësh.Duhet të marrësh pjesë.
Të shkosh në një teatër grek, në një ekspozitë, në një koncert. Të lexosh një autor grek, të kuptosh historinë e këtij vendi, të njohësh artistët e tij, të kuptosh pse ky popull mendon si mendon. Dhe mbi të gjitha, t’ua mësojmë këtë brezave të rinj.
Fëmijët tanë nuk mund të jetojnë gjithë jetën mes dy botëve pa kuptuar asnjërën plotësisht. Ata kanë nevojë të ndihen shqiptarë pa u ndjerë të huaj në Greqi. Dhe të ndihen pjesë e Greqisë pa humbur rrënjët shqiptare.
Kjo është kultura moderne e emigracionit.
Jo izolimi, jo mbyllja, jo vetëm nostalgjia, por ura. Unë besoj se ka ardhur koha të krijohen më shumë platforma kulturore, më shumë ura komunikimi, më shumë aktivitete që i afrojnë njerëzit me artin, historinë dhe jetën kulturore të vendit ku jetojnë. Kultura nuk është luks. Është mënyra si bëhesh pjesë e një shoqërie. Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet të fillojë ndryshimi ynë i ri si komunitet.
Jo vetëm të jetojmë në këtë vend. Por edhe ta njohim, ta kuptojme e ta respektojmë. Dhe njëkohësisht, me krenari, të prezantojmë Shqipërinë tonë. Sepse kur dy kultura takohen me respekt, nuk humbet, identiteti. Përkundrazi – Pasurohet shpirti.


