Shtypi i shkruar nuk po arrin të dalë nga ngërçi, ku e ka futur jo vetëm konkurrenca nga interneti, që po i largon lexuesit tradicionalë, por edhe shkurtimi i buxheteve nga reklamuesit.
Totali i sipërfaqes së reklamuar në median e shkruar në vitin 2015 (për 36 gazeta e revista) ra me 26% me bazë vjetore, sipas të dhënave të monitorimit nga Idra Media. Në bazë të monitorimeve të Idra Media dhe të dhënave nga bilancet e gazetave kryesore, të ardhurat nga reklamat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 2.7 milionë euro në vitin 2015 , me një rënie vjetore prej rreth 10%.
Vodafone, Albtelecom dhe Telecom Albania rezultojnë me një ulje të sipërfaqes së reklamuar, ndërsa Credins është bërë reklamuesi më i madh në 2015-n për nga sipërfaqja, sipas Idra Media. Rritje të lartë ka shënuar dhe sipërfaqja e reklamuar nga grupi Kastrati. Në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është Panorama Group (me median kryesore gazeta Panorama, më e madhja në vend nga tirazhi, dhe Panorama Sport) me një qarkullim vjetor prej 288 milionë lekësh, duke shënuar rritje prej 12.3% me bazë vjetore. Edhe fitimet e grupit janë rritur ndjeshëm nga rreth 340 mijë lekë në gati 12 milionë lekë. Burime nga grupi pohojnë se ndonëse ndihet kriza në rënien e shitjeve janë shtuar reklamuesit e mëdhenj, ndërsa tkurrja e shtypit të shkruar është kompensuar nga rritja e ndjeshme e klikimeve por dhe reklamave në online.
Edhe media e dytë më e madhe në vend Unipress (Gazeta Shekulli dhe publikime të tjera të grupit) ka parë rritje të qarkullimit vjetor me 23%, në gati 110 milionë lekë. Fitimi para tatimeve pothuajse u katërfishua në 32 milionë lekë.
Ndërsa të mëdhatë po i rezistojnë krizës, mediat e tjera kanë shënuar rënie dyshifrore të të ardhurave, sipas bilanceve të 2015-s. Me tkurrje kanë rezultuar Koha Jonë, Shqiptarja.com, Sport Ekspres, Gazeta Dita.
Menaxherët e shtypit të shkruara konfirmojnë rënien e ndjeshmje të shitjeve. Gazeta më e madhe në vend (Panorama) ka zbritur në rreth 10 mijë kopje, ndërsa nuk ka tirazh më të lartë se 4 mijë kopje (gara mes Sot dhe Dita).
2016 shënoi dhe viktimën e parë të madhe të shtypit të shkruar, me mbylljen e gazetës “Shqip”. Në fillim të këtij viti, një analizë kosto-përfitime e “Shqip” ka çuar në vendimin e aksionerëve për mbyllje të gazetës së tretë më të madhe në vend nga të ardhurat. Shpenzimet vjetore prej rreth 400 mijë eurosh (apo rreth 33 mijë euro në muaj, sipas bilancit 2015), kapitali negativ, rënie e të ardhurave me 23% në vitin 2015, humbjet prej 7 milionë lekësh po atë vit, rënia e tirazhit dhe e numrit të reklamave kanë qenë argumente të mjaftueshme për të orientuar pas 10 vitesh këtë media vetëm në segmentin online, nga korriku 2016.
Redi Gjuzi, zv/kryeredaktor i gazetës “Panorama” pohon se shtypi i shkruar duhet vetëm të rezistojë dhe të vazhdojë të jetë serioz dhe i vërtetë. “Është vetëm çështje kohe mbingopja nga informacioni i ylbertë, kaotik dhe jashtë çdo rregulli dhe konfirmimi minimal që japin shumica e portaleve të panumërta online. Dita që konsumatorët do të neveriten nga kjo lloj dyndje me informacion pa vlerë do të vijë shpejt. Shtypi i shkruar serioz duhet thjesht të ruajë qartësinë e vet”, thotë Gjuzi.
Rënia thellohet në vitin 2016
Rënia e sipërfaqes së reklamuar në shtypin e shkruar nuk po arrin të ndalet. Sipas të dhënave të Idra Media, për 11-mujorin 2016 rezulton një tkurrje drastike e sipërfaqes së reklamuar në shtypin e shkruar me 26%, për gazetat dhe revistat që janë monitoruar.
Pothuajse të gjitha mediat, me pak përjashtime, kanë parë tkurrje të sipërfaqeve të reklamave, sipas grafikut të mëposhtëm, ndërsa shumë prej tyre po ristrukturohen që të përshtaten ndaj konkurrencës, që shpesh e kanë dhe me vetveten (faqet përkatëse online). Reklamues tradicionalë si Vodafone, Albtelecom, Telekom Albania rezultojnë të kenë shkurtuar ndjeshëm buxhetet e tyre në median e shkruar. Edhe bankat, ndërtimi, publikimi, pijet, telefonia fikse dhe e internetit kanë ulur ndjeshëm sipërfaqen e reklamuar në shtypin e shkruar në 11 muajt e 2016-s, në përpjekje për optimizimin e kostove, por edhe si rrjedhojë e zhvendosjes drejt internetit./Monitor/