Kokëdhima : Të mbrohet Kosova, të izolohen anti-shqiptarët

162

Koço Kokëdhima /

Deklarata e sotme e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç se: “Shumë mendojnë se tani gjendemi në pozitë shumë më të mirë për sa i përket Kosovës, për shkak të situatës së brendshme atje, dhe se deri në dhjetor apo janar Serbia nuk pret aq shumë presion nga fuqitë e mëdha. Por konflikti në Nagorno-Karabak tregoi se një konflikt i ngrirë mund të kthehet në katastrofë të vërtetë” është një kërcënim i hapur për luftë i lidershipit politik të Beogradit.

Krahasimi me konfliktin për territore të pushtuara në Kaukaz, kur shqiptarët veç kanë humbur troje në shekullin e fundit dhe Serbia vetëm i ka pushtuar dhe asimiluar me dhunë, tregon se shovinizmi serb nuk vdiq bashkë me Millosheviçin, por ka po ato orekse; se BE-ja dhe SHBA-të gabuan me koncesionet territoriale dhe ekonomike që i ofruan Beogradit në këmbim të njohjes së Kosovës; se inkriminimi i luftës çlirimtare të UÇK-së e ka trimëruar shtetin agresor dhe autor të masakrave kundër shqiptarëve të Kosovës; se puthadorët e Serbisë në Kosovë dhe Shqipëri duhet të izolohen nga bashkëpunimi me politikën serbe që vetëm ka ndërruar lëkurë, por jo synime grabitqare.

Mbështes kërkesën e presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, që Bashkimi Europian dhe NATO t’u përgjigjen kërcënimeve për luftë të bëra nga Vuçiçi. Askush nuk i ka penguar serbët që të vazhdojnë të forcohen ekonomikisht dhe ushtarakisht, siç kërkoi sot Vuçiç, por ata nuk e bëjnë për të mbrojtur vendin nga agresorët, por për të përgjakur Ballkanin.

Kështu bënë në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë dhe janë gati ta përsërisin, sepse në krye të shtetit është ish-zëdhënësi i Millosheviçit. Ai, i përkëdhelur si partner i paqes nga ndërkombëtarët dhe anti-shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë, po kërkon të marrë nga Kosova troje shqiptare të banuara me serbë dhe të fitojë dominimin ekonomik me ringjalljen e ish-Jugosllavisë me ‘minishengenin ballkanik’. Duhet ndalur, sa nuk është vonë.