Rënia e nivelit të ujit në basenin e Firezës ka rikthyer fuqishëm importet e energjisë këtë verë. Importet nga OSHEE shënuan rekordin e viteve të fundit duke tenderuar 16 milionë euro për muajin korrik.
Vitin e fundit ishte vënë re një stabilzim i çmimeve të importit i harmonizuar me bursat. Po tenderi i fundit i OSHEE për muajin korrik faturoi një çmim mesatar 56.95 euro për MW, teksa çmimi i bursës së Hungarisë që është referencë për ankandet në Shqipëri për muajin korrik parashikohet 48.84 euro për MW (diferenca rreth 9 euro).
OSHEE e importoi energjinë e korrikut plot 10 euro më shumë se çmimi në bursa, diferenca më e madhe e vërejtur gjatë viteve të fundit.
Totali i energjisë elektrike e ofruar dhe kërkuar për t’u blerë nga OSHEE sh.a. për periudhën 28 qershor 2017 deri 31 Korrik 2017 ishte 285,600 MWh dhe e konvertuar në vlerë monetare 16,396,758 Euro (vlera pa TVSH), me çmimi mesatar prej 57.41 eu/MWh (59.54 eu/NWh për periudhen 28-30 qershor 2017 dhe 57.21 Eu/MWh për përiudhën 01-31 Korrik 2017).
Në vijim të kontratave të lidhura, shoqëritë Devolli Hydropower, EFT AG, GSA shpk, GRID Energy, GEN-I Tirana shpk dhe AXPO doo Beograd do të fillojnë lëvrimin e energjisë elektrike në OSHEE sh.a., sipas kontratave perkatese dhe kushteve të përcaktuara.
OSHEE njofton se shoqërive GRID Energy dhe GEN-I Tirana nuk iu pranua sasitë prej nga 5 MW në profilin band kurse shoqërisë NOA Energy Trade nuk iu pranua e gjithë sasia e ofruar për shkak të plotësimit të sasisë së kërkuar nga shoqerisë të tjera me çmim/njësi më të ulet.
Nga parashikimi i ngarkeses totale në rrjetin e shpërndarjes, duke zbritur parashikimin e prodhimit të enegjisë së prodhuar nga Prodhuesit me Përparësi të Energjisë Elektrike dhe parashikimin e prodhimit e KESH sh.a, furnizimi i pjesës së mbetur te ngarkeses me energji elektrike do të realizohet nga blerja në në import.