Reagimet nga Europa pas urdhrit presidencial për ndalimin emigracionit nga 7 vende myslimane janë kritike.
Rreth 300 vetë demonstruan kundër Donald Trumpit pranë Bursës së Brukselit, ndërsa 3 kilometra më tej, Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini nuk u përmbajt shumë nga ana diplomatike. Ajo kishte një këshillë për presidentin Donald Trump. “Kush ngre mure rreth vetes, gjendet vet një ditë në burg”.
“Historia e Europës ka treguar se izolimi e distancimi janë përgjigje të gabuara. Ne festojmë kur rrëzohen mure e ngrihen ura”, ishte komenti i Mogherinit, që shtoi se rruga që po zgjidhte Trumpi nuk ishte europiane. Siç bën të ditur “Deutsche Welle”, zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas ishte shprehur më herët se KE-ja është në kontakt me kolegët dhe partnerët në Uashington, për të sqaruar nëse preken dhe si preken nga ky dekret i ri qytetarët europianë. Ende nuk dihet sesi do të veprohet në aeroportet amerikane me qytetarët europianë, të cilët kanë dy pasaporta, e njëra prej tyre është e 7 vendeve që ndodhen në listën e Trumpit. Në faqen e “Facebook”-ut të Ambasadës amerikane në Berlin u publikua një shënim, ku sqarohej se masa prekte edhe personat me nënshtetësi të dyfishtë. Dy ministra të Jashtëm europianë, ai francez Jean-Marc Ayrault dhe gjermani Sigmar Gabriel shprehën shqetësimin për “urdhrin ekzekutiv”.
“Tani kemi nevojë për qartësi, unitet dhe, në rast nevoje, edhe fuqinë për të mbrojtur vlerat tona”, thanë Ayrault dhe Gabriel në Paris. Por reagimet e BE-së nuk janë të unifikuara. Presidenti çek, Milos Zeman mbështeti politikën e Trumpit në një deklaratë, duke thënë se ai po mbron vendin e tij, ndryshe nga ç’po bën BE-ja. Edhe ministri i Jashtëm polak, Witold Waszczykowski theksoi se çdo shtet lejohet t’i vendosë vet rregullat për emigracionin. /Top Channel