Veteranët guerilë të hoteleve, mashtrim i madh

1177

Azem PARLLAKU/  Një prej ligjeve, që ka nxitur debat sesa korrupsion ka në zbatimin e tij, por po ashtu edhe për koston e financimit të një ligji të tillë në një shtet të varfër si Kosova, është ai që ka të bëjë me statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Regjistrimi i veteranëve të UÇK-së nisi në vitin 2014. Që nga ajo kohë, afërsisht 66,500 individë kanë aplikuar që t’u njihet statusi në njërën nga kategoritë e ligjit, për veteranët e UÇK-së në luftën e vitit 1998-1999 kundër Serbisë. Numri i veteranëve të UÇK-së të verifikuar nga komisioni shtetëror tani është 46,230. Përgjatë periudhës së aplikimit formularët e posaçëm i’u shpërndanë edhe Kryesisë së Veteranëve të UÇK-së për Shqipërinë, e cila sipas një investigimi më të hollësishëm, formularët e aplikimit rezulton që t’i ketë ndarë më së shumëti për individë të cilët, nuk kishin të bënin aspak me luftën e zhvilluar në Kosovë, në vitet 1998-99.

Më shumë se 500 persona nga Shqipëria pretendojnë se kanë qenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ose kanë  kontribuar në forma të ndryshme në luftë për çlirimin e saj. Por, në fakt në luftën e Kosovës, në formacionet e UÇK-së, nuk kanë marrë pjesë më shumë se 100 shqiptarë nga Shqipëria. Pak prej tyre kanë qenë edhe në postet drejtuese, apo dhe në drejtimin e proçesit stërvitor, të reparteve e nënreparteve të UÇK-së, që u trajnuan në qendrat stërvitore në Tiranë, Kukës, Has, e së fundmi në Burrel.

Në listën e publikuar nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së, rezulton se 28 shqiptarë nga Shqipëria  janë dëshmorë të rënë në krye të detyrës. Dëshmorët janë  kryesisht nga Tropoja, Hasi e Kukësi, por edhe nga Tirana, Pogradeci, Kavaja, Berati e Vlora. Teksa në listë mungojnë një pjesë e mirë e kontributorëve realisht, aty janë listuar me shumicë pronarë, kamarierë e baristë të hoteleve, shitës të armëve dhe municioneve, tregtarë të miellit dhe mishit të pulës, ka dhe barinj plot aty, në ndërkohë nuk mungojnë mbajtës të posteve shtetërore e gazetarë, madje përfaqësuesit e dy kategorive të fundit ishin ata që, atëbotë  UÇK-në, e kanë quajtur organizatë terroriste.

Në Kosovë, një pjesë e madhe e qytetarëve e kanë kontestuar shifrën e komisionit, përfshirë kryeministrin Isa Mustafa, i cili vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e cila kishte zgjedhur rrugën e rezistencës paqësore dhe që mbetet rivale politike e PDK-së dhe AAK-së, partive që dolën nga UÇK-ja. Qëndrimi i kryeministrit Mustafa, pasqyron sentimentin e një pjese të madhe të opinionit publik, që vazhdon të mbesë skeptik ndaj idesë se UÇK-ja ka qenë lëvizje masive.

Pjesa dërrmuese e shqiptarëve, janë të bindur tashmë se, UÇK-ja ka filluar si lëvizje klandestine e një grushti luftëtarësh në vitin 1990, një grup ky i ngushtë i familjeve rurale, studentëve dhe elementeve nga diaspora. Deri në eskalimin e luftës nga Millosheviqi për shuarjen e kryengritjes në fund të vitit 1997, një pjesë e madhe e popullatës dhe lidershipit politik të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, nuk i ka njohur dhe nuk është pajtuar me veprimet e tyre. Për shkak që, rekrutimi dhe veprimi i UÇK-së ka pasur karakter rajonal, një numër i madh i atyre që do të përfitojnë pensione të veteranëve do të përfaqësojnë një rrjet të gjerë të përkrahjes për partitë që dolën nga UÇK-ja. Një gjë e tillë veçse shton akuzat në adresë të Komisionit qeveritar për verifikim të anshëm dhe zgjatimin e qëllimshëm të listës.

Interesant është fakti se, numri i veteranëve të regjistruar kontestohet edhe nga shoqatat kryesore të veteranëve dhe ish udhëheqësit e UÇK-së, të cilët thonë se guerilja pjesë e të cilës ishin kurrë nuk arriti të rekrutojë aq shumë rekrutë gjatë luftës. Ata janë dyshues ndaj ardhacakëve të vonshëm në radhët e tyre për përfitime politike apo financiare. Kontaktet e besueshme e që, me të drejtë janë skeptikë pohojnë se listat janë trefishuar, e aty gjen disa mijë individë të cilët mbroheshin pas shpinës së grave dhe vajzave që erdhën për të shpëtuar kokën në Shqipëri. Gjenerali Agim Çeku, i cili ishte Shef i Shtabit të UÇK-së më 1999 dhe mbikëqyri shpërbërjen e organizatës guerile, parashikoi se në fund të proçesit shifrën e tij personale e ndal diku midis 10-13 mijë të pjestarëve dhe kontributorëve.

Po kaq interesant është edhe fakti se, Prishtina dhe Tirana zyrtare kanë heshtur gjithnjë e më shumë për angazhimin real të shqiptarëve të Shqipërisë në strukturën e UÇK-së. Miqtë e Tiranës për Thaçin e kohës së luftës, janë pronarët dhe personeli i hoteleve. Ndaj dhe jo pa qëllim, formularët e aplikimit i’u besuan kësaj kategorie të xhepistëve. Në mesin e aplikuesve nga Shqipëria ka edhe viktima të minave serbe, të vendosura në kufi në vitet 1998-1999. Sekserët e formularëve për të fshehur bëmat e tyre, nxituan për t’i bërë nder kësaj kategorie. Por, ish- Kryetari i Shoqatës së Viktimave të Minave dhe Armëve në Shqipëri “ALB AID”, Jonuz Kola, shprehet se kjo kategori nuk ka të bëjë aspak me luftën e UÇK-së. Ai thotë se, Gjykata e Strasburgut do të marrë në shqyrtim padinë e Komitetit të Miqve Antiminë. “Shqipëria nuk ka prova që t’i paraqesë para Gjykatës së Strasburgut. Nuk janë grumbulluar prova në vendin e ngjarjes kur banorët kanë rënë në mina, por është mjaftuar vetëm me një fotografi. Gjykata vepron me prova. Ish- ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiç, në një aktivitet në Beograd ka mohuar që ushtria jugosllave të ketë minuar kufirin. Pas kësaj  deklarate unë kam braktisur aktivitetin në shenjë proteste”, shprehet Kola.

Trashëgimia e luftëtarëve jokonvencionalë siç është rasti me UÇK-në, ka qenë dhe është temë shumë e diskutuar nga shoqatat, individët, partitë politike, mediat, përfshirë memoare, gazeta e libra. Në Prishtinë po, por edhe në Tiranë janë botuar qindra memoare, në të cilat rrëfehet e vërteta dhe shmanget ajo në të njëjtën kohë. Këto rrëfime që printohen me zell e ndikojnë opinionin publik, por mbesin të ngujuar në dyzimin e lehtë të rezistencës dhe bashkëpunimit, të meritorit të vërtetë dhe lekistit.

Ata që kanë listuar edhe meritorin edhe lekistin e UÇK-së justifikohen se janë mbështetur në strategjinë e rekrutimit të pjesëtarëve të UÇK-së. Dallimet në emra dhe numra janë po ashtu rezultat i faktit që, UÇK-së në Kosovë, jo të gjithë i janë bashkuar në të njëjtën kohë, e shumë prej përfituesve të sotëm morën pjesë kur gjasat për fitore po shiheshin. Fatkeqësisht, për karakterin e UÇK-së ka pasur shumë më shumë diskutime politike dhe interesash, sesa një analizë të mirëfilltë dhe të besueshme. Kjo është arsyeja pse debati për numrat e ka komplikuar më shumë seç e ka sqaruar problemin.

Ish-pjesmarrës të formacioneve të UÇK-së janë zhgënjyer kur në lista kanë hasur në persona që nuk ishin pjesë e UÇK-së dhe u bënë “veteranë” Disa prej tyre morën këto statuse duke qëndruar gjatë luftës në vendet perëndimore. Faji për këto parregullsi ka rënë mbi komandantët e njësive, brigadave e të zonave të UÇK-së. Ata nënshkruan formularët edhe të atyre që ish-ushtarët e UÇK-së i konsiderojnë mashtrues. Ndërkaq, ka nga aty që thonë se, e blenë me para statusin e veteranit.

Vendi ku shpërtheu lufta e UÇK-së e ku populli krenohej dhe mburrej me luftën e atyre që derdhën gjak, me ata që lanë pjesë të trupit në zonat e luftës, si dhe me ata që me pushkë luftuan okupatorin deri në shporrjen e tij nga Kosova, sot është vendi i shumë pakënaqësive, kundërshtimeve dhe akuzave në adresë të atyre që kontribuan për fryrjen tej mase të listave të veteranëve, të dëshmorëve dhe të invalidëve. Ç’ka është edhe më me rëndësi, pakënaqësitë e tyre i manifestojnë pikërisht ata ish-luftëtarë, të cilët ishin pjesë e luftës së UÇK-së që prej themelimit të saj, e të cilët nuk duan të jenë në një kategori me ata që luftën  e kanë përcjellë nga televizori dhe nga hollet e hoteleve ku ndaheshin paratë.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: