Shqipëria ngrin, ndërsa drejtorët e Ramës krihen

746

Azem PARLLAKU  /  Këtë fillim viti kur Shqipëria (londineze) është veshur me gëzofin e bardhë, qytetarët e thjeshtë të saj luten, për një Prill të mbarë, si ai i 1985.

Pushimet me vendim qeverie një pjesë e mirë e administratës, po i kalon duke tingëlluar me pultin e televizionit, e duke mos humbur pëlqimin për statusin e drejtorit/es, që poston e poston të njejtin vetëpostim, në emër të transparencës me publikun. Duke lundruar në larminë e kanaleve televizive me pagesë, në të njejtën kohë dhe me të njejtin “pasion” zapton kohët televizive Drejtori i Emergjencave Civile.

Toni dhe retorikat e tij kanë ngrirë si qëmoti kur në emër të Partisë, instruktonte kufitarët e medaljeve të “Yllit të Kuq”. Menaxhoj Emergjencë thotë drejtori, por nuk kam strukturë operacionale, nuk kam as logjistikë. Kam thotë ai, një helikopter që Kodheli shëtit kamerat qeveritare, bujrum ti gazetar/e, hajde si pasagjer në fluturimin e radhës por vish xhup, e kur të zbresim në Farkë, duhet që kasetën t’a skanojmë.

Teksa, kreu i Emergjencave Civile ftohet në një tjetër studio, në radhë sapo hapsira publicitare mbaron, na shfaqet një drejtor tjetër. Ky, veshur më shik, nga drejtori që iku, i cili sapo tha dibrançe “Unë e kam dit që do bie borë sot”, ndaj dhe kam mbërthyer deri në kopsën e fundit rreth qafe, këmishën time me kuadrate, dhuratë e një dyqani kinez tek Medreseja e Tiranës.

Drejtori me kokë të rruar, që sapo u shfaq i thotë regjisë, kam sjellë ca foto dhe pak minuta si video, të cilat tregojnë se shefit tim i ka ngrirë bora në kokë. Aq shumë sa dhe shefi i shefit e falenderoi posaçërisht në takimin e transparencës me publikun. Kemi mbajtur hapur rrugën e kombit thotë i veshuri shik, nga Ministria e Transporteve, e falenderoi shtetasit shqiptarë të Kosovës, të cilët e përshkuajnë këtë aks, me automjetet e gomuar dimërisht dhe mbi rrota veshin zinxhirët.

Drejtori i Ministrit të ngrirë të transporteve, i lë vendin një tjetër drejtori, ky me fletushka të printuara në ngjyrat e ylberit, bën paradën e “suksesit” të OSSHE, anipse në Durrës për momentin nuk ka energji, ndërsa me urdhër të shefit të shefit, Radio Televizioni Shqiptar po shfaq një dokumentar për elektriçistin Hallaçi nga Kukësi, i cili ngriu në shtyllë. Së shpejti flitet që kryeshefi do të mbledhë shpërndarësit e statuseve të tij, të shkruajnë skenarin e filmit me personazhet hero Zaho, Deda, dhe Mrika.

Me zbritjen nën zero të temperaturave, lushnjarët nuk do prodhojnë domate, ndaj drejtorët nga Ministria e Arsimit, këtë fillimviti po merren edhe me punët e shëndetit. Nora e arsimit shfaqet pandarje mediatikisht, si nënëmadhe e poliklinikave të lagjve, duke këshilluar sesi “të gripuarit” të konsumojnë qumësht e të vlojnë çajin e paragjumit.

Duke çmuar “efikasitetin” e akullit shfaqet Iliri i e epidemisë së konçensioneve të gripit, për shpikjen, prodhimin e fabrikimin në Kinën Popullore të vaksinave. Beqja i ngrirë, falenderon përzemërsisht Ministren e mërdhihur të shkollave të ngrira për evitimin e grumbullimeve të nxënësve e mësuesve.

E përfolur si kanditate për President, Kodheli mjaftohet me ndonjë status, komentet mbi të cilat i monitoron shoku Petro, e të dy bashkë, po kërkojnë diku mes ushtarëve profesionistë në tabor, ndonjë drejtor për të bërë deklaratën e suksesit, sesi bora në rrugë i trembet kovës së fadromës, si objekt i rëndësisë së veçantë që grasatohet me urdhër të veçantë.