Në një takim të organizuar nga ana e Departamentit “Brain Gain” në PD, lideri demokrat Sali Berisha tha se qytetarët duhet që të angazhohen, veçanërisht ata që jetojnë jashtë shtetit, në procesin zgjedhor.
Berisha iu bëri thirrje studentëve, intelektualëve, por edhe specialistëve shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit të kontribuojnë në ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese, atë të votës. Lideri i PD tha se Partia Demokratike ka një program, që mundëson transformimin dhe shpëtimin e vendit.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
“Do ta mbyll duke ju përgëzuar edhe njëherë e duke ju ftuar ju, anëtarëve të këtij departamenti, por të gjithë studentët, specialistët, intelektualët jashtë të jepni kontributin tuaj më të madh të mundshëm në ushtrimin e të drejtës kushtetuese të votës, të jepni kontributin tuaj më të madh të mundshëm në ushtrimin e të drejtës kushtetuese të votës të bashkëatdhetarëve tanë jashtë vendit. Është e një rëndësie të jashtëzakonshme që nga 1 milionë e 500 mijë shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote, shumica e tyre të mund të votojnë. Të firmosë me votën e tyre ndryshimin, rotacionin se e vërteta është që ‘ata thyhen dhe ne i mundim’ dhe ne kemi një program të shkëlqyer, kemi një program transformues, kemi një program shpëtimtar për Shqipërinë.”