Brukseli i kërkon Romës dialog pas kërcënimit për bllokimin e porteve për migrantët

933

Komisioni Evropian i kërkoi sot Italisë, që kërcënoi se do të bllokonte hyrjet nga portet e saj për disa anije që transportonin migrantë, të mos bënte asgjë para se të diskutonte me shtetet e tjera dhe OJQ-të.

“Përballur me mbërritje të vazhdueshme të migrantëve në brigjet e saj, Italia kërcënoi dje se nuk do të pranonte hyrjen në portet e saj të anijeve të huaja që transportonin migrantë të shpëtuar në Mesdhe”, theksoi dje media italiane dhe një burim i afërt me qeverinë.

Roma dëshmoi se është lënë vetëm përballë krizës migratore dhe kërkoi më shumë solidaritet nga ana e partnerëve evropianë. Vendi ka regjistruar që prej fillimit të vitit më shumë se 73 000 migrantë të mbërritur, të ardhur nga Libia në pjesën më të madhe.

“Ne i kuptojmë shqetësimet e Italisë dhe e mbështesim kërkesën e saj për një ndryshim të situatës”, deklaroi sot një zëdhënëse e Komisionit Evropian, Natasha Bertaud.

“Por, çdo ndryshim i politikës duhet tashmë të diskutohet me shtetet e tjera anëtare dhe gjithashtu të komunikohet në mënyrë korrekte me OJQ-të që përdorin këto anije që të kenë kohë të përgatiten”, shtoi ajo.

Më shumë se 10 200 migrantë janë shpëtuar këto ditët e fundit në brigjet e Libisë. Rojat bregdetare italiane koordinojnë këto operacione shpëtimi, po shumë anije të huaja duke përfshirë këtu dhe ato të drejtuara nga OJQ-të marrin pjesë.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: