ATSH / Avancimi i agjendës dypalëshe, integrimi evropian i vendit, situata në rajon e më gjerë, Procesi i Berlinit dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal do të jenë në fokus të takimeve që kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati do të zhvillojë në kuadër të një vizitë punë në Austri dhe Gjermani.
Sipas njoftimit zyrtar të MPJ-së, gjatë vizitës në Austri, Ministri Bushati do të zhvillojë takim me Ministrin Federal të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme Sebastian Kurz, si dhe do të marrë pjesë në konferencën: Ballkani Perëndimor:
Një proces zgjerimi më energjik me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe, që organizohet nga Ministria Federale e Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë franceze të Punëve të Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar. Në kuadër të vizitës së tij në Gjermani, Ministri Bushati do të zhvillojë takime me Ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Frank Walter Steinmeier, në Kancelarinë Federale, do të jete i ftuar në seanca dëgjuese në Komisionin për Çështjet Evropiane, në Bundestag, si dhe do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, për një bashkëbisedim mbi Politiken e Jashtme të Shqipërisë dhe reformat transformuese të vendit në kuadër të integrimit evropian.