Valmora Gogo /
Le t’a lëmë jashtë ofendimin e Edi Ramës për njerëzit me probleme të shikimit, të cilët i quajti pa iu dridhur qerpiku ”qorra”, në germat që i shfaqeshin në ekranin e celularit, duke u fokusuar te ideja më e re e kryeministrit tonë.
Pasi Shqipëria gëloi nga tonelata kanabisi kapur kryesisht brigjeve të Italisë, pasi Italia hetoi dhe arrestoi anëtarë të bandës së Habilajve dhe pasi në përgjime u përfshi emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin prokuroria po heton edhe pse nuk mori dot nga Rama autorizimin për arrestim, duke u ndjekur vetëm 5 ditë më parë nga një tjetër skandal për Tahirin ku Orest Sotës, një biznesmeni të ri iu gjetën 836 mijë euro dhe 2 lejet e drejtimit të mjeteve lundruese të po Saimir Tahirit, Rama edhe mund të na i kursente këtë idenë e ”luftës së kanabisit me Task Forcën” në Shqipëri.
Kur Ylli Manjani i kujtonte mes të tjerash se duhej futur ushtria në punë për të rrafshuar çdo centimetër tokë të mbuluar me kanabis, Rama e shkarkoi me një të rënë të lapsit. Po sot? Ç’është kjo ide e Task Forcës pas 12 prefektëve ushtarakë që na prezantoi?!
Lexojeni se çfarë thotë, me disa shpjegime redaksionale të nevojshme:
”Shqipëria e sotme nuk ka asnjë të krahasuar me Shqipërinë e 4 viteve më parë! Faktet e mbledhura në fushën e betejës, një betejë ditë për ditë me krimin dhe paligjshmërinë janë kokëforta dhe as llumi i derdhur ditënatë nga opozita në mexhelis, as pasqyrat e transformuara televizive, dixhitale apo prej letre të kazanit mediatik, nuk e përmbysin dot të vërtetën e këtyre rezultateve të arritura në fushën e rendit e të sigurisë publike në 4 vitet e fundit..
Sot, Shqipëria ka numrin më të ulët të vrasjeve qysh prej vitit 1992, rënie drastike të korrupsionit të policisë (Por ndërkohë ministri i tij Fatmir Xhafaj pranoi implikimin e punonjësve të policisë së shtetit në kanabis, lexo lajmin këtu) në rrugët e vendit, besim të shumëfishuar te policia e shtetit në raport me pikënisjen e këtyre viteve punë të palodhur për kthimin e uniformave blu në krye të detyrës.
Por, pa asnjë dyshim, fakti se sot e vërteta është krejt tjetër nga çfarë bërtet çdo ditë një opozitë e çartur, e hallakatur, e papërgjegjshme për rolin dhe detyrat e saj nuk do të thotë në asnjë mënyrë se çka ne kemi bërë deri këtu mjafton. Jo! Dhe madje, përkundrazi!
Nuk mjafton dhe nuk na mjafton! Sepse ne nuk jemi në garë me të shkuarën, por në luftë me të ardhmen! (A nuk bëri Rama çdo krahasim me referencë vitet e kaluara, pak më lart?!)
Deri këtu kemi bërë vetëm një pjesë të punës dhe kemi marrë dhe do ta mbajmë të gjithë përgjegjësinë e madhe që të punojmë parreshtur për të bërë pjesën tjetër dhe për ta renditur në fund të këtij 4-vjeçari Policinë e Shtetit shqiptar në mesataren e lartë të policive të bashkimit europian.
Nesër qeveria e Shqipërisë do të mblidhet për të garantuar ngritjen e një Task-Force Speciale në Policinë e Shtetit. (Rama flet në emër të Policisë së Shtetit?! A nuk duhet të ishte drejtori i saj?!)
Kjo strukturë e re anti-krim do të marrë përsipër operacionin më të strukturuar, më intensiv dhe më afatgjatë, në historinë e këtyre 27 viteve, kundër krimit të organizuar.
Një pjesë e planit të këtij operacioni të emërtuar ”Forca e ligjit” do të jetë sekret dhe nuk do të ndahet me askënd, përveçse me agjencitë ligjzbatuese kombëtare dhe ato ndërkombëtare, që do të përfshihen si partnere në radhët e këtij operacioni, natyrisht nuk do të jetë sekret as emri i operacionit policor për konceptimin dhe hartimin e të cilit është punuar prej 3 muajsh, as ambicja jonë për të çuar para drejtësisë (Qeveria çon para drejtësisë?! Qeveria merr rolin e policisë dhe prokurorisë?!) me forcën e ligjit, elementët e grupet kriminale të skeduara si shenjestrat e Task Forcës Speciale.
Ky operacion duhet të jetë një orë e të vërtetës, e të vërtetës edhe për marrëdhëniet e krimit me politikën, apo të politikës me krimin. Këtu do jemi dhe do të shohim: kush e lufton krimin që të fitojë Shqipëria dhe kush krimin e ka mjet për të sulmuar politikisht kundërshtarin apo për të mbrojtur politikisht veten, jo nga krimi, por nga drejtësia!
Ne jemi përgatitur shumë seriozisht dhe kemi siguruar një bazë të qenësishme burimesh njerëzore, vendase dhe të huaja, për ta çuar deri në fund me sukses edhe këtë fazë të dytë, siç çuam deri në fund me sukses të parën.
Më mbush me shpresë edhe përfshirja e agjentëve të FBI-së dhe jo vetëm po ashtu në këtë përpjekje të madhe dhe të vendosur që kemi ndërmarrë. (Agjentët e FBI-së do jenë bërthama e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk është asgjë e re. Ishin programuar për të mbërritur në Shqipëri).Jam shume falenderues në emër të çdo shqiptari që do shtet në këtë vend, drejtorit të FBI-së dhe të dërguarëve të tij, të cilët vijnë këtë javë në Tiranë.”
Në fund një breshëri falenderimesh:
”Ambasadori Lu, padyshim, me të cilin nuk jam përherë dakord me gjithçka thotë por jam dakord me mirënjohje për gjithçka bën në të mirë të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.
Ashtu siç u jam thellësisht mirënjohës edhe partnerëve italianë, qeverisë mike të Italisë, Ministrisë së Brendshme të vendit mik, Guardia di Finanza-s, në mënyrë të posaçme po edhe partnerëve gjermanë që kanë sjellë të drëguarit e tyre për operacionin ”Forca e Ligjit””
Me siguri nëse do kishte bërë ndonjë shpjegim lidhur me skandalet e të besuarit të tij për 4 vite, Rama do të kishte qenë më i qartë për shqiptarët. /Valmora Gogo-Faxweb