E pazakontë, senatorja ushqen me gji foshnjën në Parlamentin e Australisë

Lifestyle

Në Parlamentin e Australisë ka ndodhur një ngjarje e pazakontë, ku senatorja e Queenslandit, Larissa Waters ka ushqyer me gji në seancë foshnjën e saj dymuajshe Alia Joy.

Si pasojë, vogëlushja hyn kësisoj në histori si foshnja e parë që ushqehet me gji në Parlament.  Mediat vendase shkruajnë se Waters mori me vete vajzën e saj në Parlament dhe, kur foshnja kishte uri, u ushqye me gji. Larissa Waters është bashkëkryetare e Partisë së Gjelbër dhe e shfrytëzoi rastin për të promovuar edhe më shumë të drejtat e femrave.

Më herët senatorja  ka ngritur shpesh shqetësimin se rregullat e Parlamentin nuk ishin miqësorë ndaj familjeve, duke theksuar se femrat duhet të balancojnë detyrat parlamentare me ato prindërore.

Vetëm vjet, Parlamenti australian miratoi ligjin që lejon ligjvënëset femra të ushqejnë me gji fëmijët në sallë edhe gjatë seancës. Më parë, fëmijët as që lejoheshin të hynin në sallën e Parlamentit.