KËRKESAT PËR AZIL NË BE U RRITËN 28% NË 6 MUAJT E PARË TË 2023

Bota Emigracioni

Rreth 4 milionë ukrainas, të cilët u larguan nga vendi i tyre pas pushtimit rus, u është dhënë statusi i mbrojtjes së përkohshme në BE.

Kërkesat për azil të paraqitura në vendet e BE-së, Norvegji dhe Zvicër në gjysmën e parë të vitit 2023 u rritën me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njoftoi sot agjencia e azilit të BE-së.

Rreth 519,000 kërkesa për azil u depozituan në ato 29 vende nga janari deri në fund të qershorit, tha agjencia, duke vlerësuar se “bazuar në trendin aktual aplikimet mund të kalojnë një milion deri në fund të vitit”.

Shumica e aplikimeve, 44%, janë dorëzuar nga shtetas të Sirisë, Afganistanit, Venezuelës, Turqisë dhe Kolumbisë.

Gjithashtu, në gjysmën e parë të vitit 2023 janë dorëzuar më shumë aplikime sesa janë regjistruar ndonjëherë në të njëjtën periudhë që nga viti 2015-2016.

Në vitet 2015-2016, kur lufta në Siri kishte shkaktuar një fluks të madh emigrantësh drejt Evropës, numri i përgjithshëm i kërkesave për azil kishte arritur në 1.3 milionë në vitin 2015 dhe 1.2 milionë në vitin 2016. Në vitin 2022 janë dorëzuar gjithsej 994.945 kërkesa.

Gjermania është vendi që ka marrë më shumë kërkesa, 30% të totalit. Pasojnë Spanja (17%) dhe Franca (16%).

Agjencia theksoi gjithashtu se për shkak të kësaj rritjeje të madhe shumë vende evropiane janë “nën presion për të shqyrtuar aplikimet”, duke shtuar se numri i kërkesave për të cilat pritet një përgjigje është rritur me 34% krahasuar me vitin 2022.

Janë pranuar 41% e aplikimeve të shqyrtuara.

Në të njëjtën kohë, rreth 4 milionë ukrainas, të cilët u larguan nga vendi i tyre pas pushtimit rus, u është dhënë statusi i mbrojtjes së përkohshme në BE.