Mitsotakis: Lockdown nga e shtuna deri në 30 nëntor

Greqi

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka shpallur vendimin për mbylljen thuajse të përgjithshme të veprimtarive në vend, nga mëngjesi i të shtunës deri në 30 nëntor, raporton televizioni TRIBUNA në Greqi

Në një konferencë për shtyp, mesditën e të enjtes, shefi i qeverisë greke deklaroi ndër të tjera:

“Shtimi agresiv i rasteve me Covid më detyron t’i marrë masat tani. Nuk mund të marr përgjegjësinë e vënies në rrezik të jetëve të njerëzve. Vendimet tona bazohen në të dhënat shkencore, të cilat janë të padiskutueshme”.

Mitsotakis tha se lockdown-i i tanishëm “do të ngjajë me atë të marsit, por nuk do të jetë krejt i njëjtë”. Siç tha, do të nevojitet sms për lëvizjen e qytetarëve, ndërsa do të jenë hapur supermerkatat dhe farmacitë.

Gjithashtu do të jenë hapur kopshtet e fëmijve, shkollat fillore dhe shkollat e edukimit të posaçëm. Ndërsa gjimnazet dhe licetë do të jenë mbyllur dhe mësimi do të bëhet online. Mitsotakis theksoi se përdorimi i maskës është i detyrueshëm në të gjitha lëvizjet.

Kryeministri grek shprehu bindjen se masat e reja do të japin rezultat.

“Çështja është se si do të rikthehemi në normalitet. Duam të rikthehemi në dhjetor, që është një periudhë festash. Por do të jetë një normalitet me rregulla”.

Masa në mbështetje të punonjësve

Duke iu referuar masave për mbështetjen e punonjësve, Mitsotakis u ndal në tre prej tyre:

  • Gjithë punonjësit që do të dalin në regjim pezullimi (anastoli) do të marrin një ndihmë prej 800 eurosh.
  • Zgjatet për dy muaj të tjerë pagesa e gjithë asistencave të papunësisë (epidoma anergjias)
  • Do të jepet një ndihmë prej 400 eurosh për gjithë të papunët afatgjatë që nuk aktualisht përfitojnë asistencë.

“I kemi të gjitha arsenalet për t’u mbrojtur në këtë sulm të ri, më të fuqishëm të pandemisë dhe jam i sigurt se do ta fitojmë edhe këtë betejë… Besoj se brenda 2021-shit, shpresoj me herët se sa më vonë, lajmet sa i përket vaksinës të jenë kaq inkurajuese sa do të mbarojmë përfundimisht me këtë peripeci të madhe”, përfundoi kryeministri grek.

Prezantimi i masave të specifikuara që do të zbatohen deri në 30 nëntor, do të bëhet pasdite nga zëvendësiministri i mbrojtjes civile, Nikos Hardalias.